Lajme Botë

Grupi “Wagner” përgatiten të shkojnë në Bjellorusi

Grupi mercenar rus “Wagner”
Grupi mercenar rus “Wagner”

Luftëtarët mercenarë të grupit Wagner të udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin po përgatiten të lëvizin në Bjellorusi, sipas kushteve të një marrëveshjeje që ndaloi kryengritjen e tyre kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë, citohet të ketë thënë një komandant i lartë i grupit.

Që nga rebelimi i 23-24 qershorit, ku luftëtarët e Wagnerit pushtuan për një kohë të shkurtër një qytet jugor rus dhe marshuan drejt Moskës, vendndodhja e saktë e Prigozhin dhe mercenarëve të tij ka qenë e paqartë.

Sipas marrëveshjes që i dha fund kryengritjes, Prigozhin duhej të transferohej në Bjellorusi dhe njerëzit e tij – disa prej tyre ish- të dënuar të liruar herët për të luftuar në Ukrainë – iu dha opsioni për t’u zhvendosur në Bjellorusi, për t’u bashkuar forcave të armatosura të rregullta të Rusisë ose të shkojnë në shtëpi.

Megjithatë, presidenti bjellorus Alexander Lukashenko tha të enjten se Prigozhin dhe mijëra luftëtarë të tij ishin ende në Rusi, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me zbatimin e marrëveshjes, raporton Reuters.

Anton Yelizarov, me nofkën “Lotus”, u citua të shtunën nga një kanal në aplikacionin e mesazheve Telegram të thoshte se luftëtarët tani po bënin pushime deri në fillim të gushtit, me urdhër të Prigozhinit, përpara se të transferoheshin në Bjellorusi.

“Ne duhet të përgatisim bazat, terrenet e trajnimit, të koordinojmë me qeveritë dhe administratat vendore, të organizojmë ndërveprim me agjencitë e zbatimit të ligjit të Bjellorusisë dhe të vendosim logjistikën,” u citua ai nga kanali “Yevgeny Prigozhin në Telegram”.

Vetë Prigozhin ka qëndruar jashtëzakonisht i qetë gjatë dy javëve të fundit. Ai nuk ka postuar në kanalin e tij të preferuar në Telegram që nga 26 qershori, kur ai mbrojti veprimet kryengritëse të luftëtarëve të tij.

Një këshilltar i ministrisë së mbrojtjes së Bjellorusisë tha të premten se askush nga grupi ëagner nuk e kishte vizituar ende kampin ushtarak të papërdorur që Lukashenko kishte ofruar për përdorim të luftëtarëve.

Yelizarov tha se nuk kishte pasur asnjë përpjekje nga forcat e sigurisë ruse për të “goditur” luftëtarët e Wagner që nga rebelimi.

Prigozhin, i cili prej kohësh kritikonte ashpër ministrinë ruse të mbrojtjes dhe shefat e Shtabit të Përgjithshëm për trajtimin e luftës në Ukrainë, tha se ai nisi “marshimin e tij të drejtësisë” në Moskë për të protestuar kundër korrupsionit dhe paaftësisë në mesin e drejtuesve të lartë.

I pyetur në lidhje me sulmet e fundit ndaj Prigozhin në mediat shtetërore ruse, Yelizarov tha se ato ishin një përpjekje nga struktura ushtarake e Rusisë për të krijuar një ndarje midis shefit të mercenarëve dhe luftëtarëve të tij Wagner.

Këtë javë, televizioni shtetëror rus transmetoi pamjet që supozohet se janë xhiruar gjatë bastisjeve të forcave të rendit në zyrën e Prigozhin në Shën Petersburg dhe një nga “pallatet” e tij.

Ai tha se një hetim kundër Prigozhin ishte ende duke u zhvilluar pavarësisht marrëveshjes së 24 qershorit, sipas së cilës akuzat penale kundër tij për kryengritjen e dështuar u hoqën. /REL

/Shqip.com