Lajme Ballkan

Grupi Parlamentar i PD-së nis procedurat për shkarkimin e Lindita Nikollës

Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bazuar në pikën 4, të nenit 114 të Rregullores, ka vendosur të nis procedurën për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.

Në një njoftim për mediat, Grupi i PD-së njofton se procedura është nisur “për shkak të shkeljes flagrante të Rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit, bazuar në pikën 4, të nenit 114 të Rregullores.”


Njoftimi nga Partia Demokratike e Shqipërisë

Sipas PD-së, kryetarja e Kuvendit u “mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës.”

Grupi Parlamentar i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj akuzon kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla se ka mbyllur ditën e sotme seancën plenare për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama, pas akuzave drejtuar ndaj tij për lidhje me ish-zyrtarit e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, të arrestuar së fundmi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mohuar kategorikisht që të ketë lidhje mes tij dhe akuzave të ngritura në Shtetet e Bashkuara ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.

Lexo edhe:
Rama mohon të ketë lidhje mes tij dhe akuzave ndaj ish zyrtarit të FBI-së

Charles McGonigal ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve me zyrtarë të shteteve të tjera.

Sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza.

/Shqip.com