Lajme Ballkan

Grubi: Shkupi mirëpret Kurtin e Vuçiqin, dialogu me epilog njohjen

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, e ka cilësuar hap me rëndësi jetike për rajonin, dakordimin e Kosovës dhe Serbisë rreth përmbajtjes së propozimit evropian, të hënën në Bruksel.

Përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook, Grubi është shprehur se është koha të mbyllim armiqësitë dhe së bashku të hapërojmë drejt Evropës dhe të shkruajmë kapitullin e ri të progresit.

“Nuk mund të cilësohet ndryshe përveç se një hap me rëndësi jetike për stabilitetin e mbarë rajonit , dakordimi i dyanshëm rreth përmbajtjes së propozimit franko – gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Përgëzoj palët për largpamësinë dhe racionalitetin e treguar përtej dallimeve dhe impaktin e jashtëzakonshëm konstruktiv të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për ardhmërinë evropianë të mbarë Ballkanit Perëndimor. Është koha të mbyllim armiqësitë dhe së bashku të hapërojmë drejt Evropës dhe të shkruajmë kapitullin e ri të progresit.”

Më tutje ai ka thënë se Shkupi do të mirëpres të dy vendet dhe vazhdimin e dialogut deri në finalizimin e tij me epilog njohjen e ndërsjellë.

Takimi në Shkup pritet të mbahet me 18 mars.

/Shqip.com