Lajme

Gruaja në Gjilan dyshohet se u dhunua dhe u grabit nga dy persona të maskuar, deklarohet Prokuroria

Dy persona të maskuar kanë sulmuar një nënë dhe djalin e saj derisa këta të fundit ishin duke ecur rrugës.

Në raportin e Policisë thuhet se të dyshuarit kanë marrë ari dhe para nga nëna dhe njëkohësisht dyshohet se e kanë dhunuar.

Ndërkaq, ndaj djalit të saj kanë ushtruar dhunë fizike.

“GRABITJE&DHUNIM – Gjilan 25.05.2024 – 00:40. Është raportuar se dy viktimat një  femër dhe djali i saj i mitur,  deri sa ishin duke ecur rrugës janë sulmuar fizikisht nga dy persona të panjohur të maskuar. Të dyshuarit kanë arritur që me forcë të marrin nga viktima stoli ari që kishte si dhe një shumë parash dhe njëkohësit dyshohet se të njëjtit e kanë dhunuar, ndërsa ndaj djalit të saj kanë ushtruar dhunë fizike dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka thënë se kanë autorizuar policinë që të ndërmarrin veprime hetimore për identifikimin e të dyshuarve.

Rasti është kualifikuar si “Dhunim”, “Grabitje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka autorizuar policinë që të ndërmarrin veprime në mënyrë që të indentifikohen kryesësit e këtyre veprave. Nga prokurori kujdestar rasti është kualifikuar si “Dhunim”, “Grabitje” dhe “Lëndim i lehtë trupor””, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për media.

/Shqip.com