Kulturë Kino

“Gruaja e thyer”, në Festivalin Ndërkombëtar të monodramës në Bullgari

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” përfaqëson për të parën herë Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “To the stars” në Varna, Bullgari, me monodramën “Gruaja e thyer” me regji të Endri Çela dhe interpretimin e Adriana Tolka.

Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “To the Stars” u mbajt  nga 3-9 gusht në Qendrën e Festivalit dhe Kongresit në qytetin port të Varnës, organizuar nga Fondacioni Osnova-Ta.

Ky festival u zhvillua nën kujdesin e zëvendëspresidentes Iliana Iotova. Edicioni i 11-të i këtij festivali prezantoi  monoperformancën kolektive të Marius Kurkinskit “Marius 50”, monoperformancën e Zdrava Kamenovës “The Hit of the Season”, me regji të Elitsa Yovcheva, “Our Yunus”, Monodramë nga Turqia, “Gruaja e thyer” nga Shqipëria, “Arka – Box” nga Kosova etj., raporton atsh.

Festivali gjithashtu ishte dhe një takim dhe diskutim për herë të parë mes psikoanalistëve, mjekëve, artistëve, kulturologëve, muzikantëve, shkrimtarëve, gazetarëve. Festivali Ndërkombëtar i Monodramës është themeluar nga aktori Marius Donkin në vitin 2006, i cili është qytetar nderi i Sofjes dhe Varnës, i cili tashmë ka pritur njëmbëdhjetë edicione të veprimtarisë.

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, u prezantua në këtë festival me monodramën “Gruaja e thyer” bazuar në veprën e Simone De Beauvoir, me regji të Endi Çela dhe interpretimin e aktores Adriana Tolka.

Shfaqja u duartrokit gjatë nga të pranishmit  dhe mori vlerësime shumë pozitive nga personalitete të fushës si regjisori dhe aktori  Thierry Harcourt ( i ftuar special i festivalit)  dhe veçanërisht dhe nga Drejtori i festivalit, Marius Donkin, i cili e ftoi shfaqjen në edicionin e radhës të këtij festival, i cili do të zhvillohet në shkurt 2024 në Sofje.

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” mori gjithashtu ftesë nga festivali ndërkombëtar i teatrit  “Scene at the Crossroads”, që do të zhvillohet në muajin shtator 2024 në Plovdiv, Bullgari, festival i cili ka tashmë 24 vite që organizohet në skenën e teatrit më të hershëm në Bullgari.

/Shqip.com