Lajme Botë

Greqia dhe Turqia kërkojnë të përmirësojnë raportet

Ministri i Jashtëm i Greqisë ka vizituar më 12 shkurt Turqinë, për t’i ofruar mbështetje pasi ky shtet u godit të hënën nga tërmete shkatërruese. Kjo vizitë u realizua pavarësisht rivalitetit të kamotshëm të këtyre dy anëtarëve të NATO-s.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, u takua me homologun e tij turk, Mevlut Cavugoslu, dhe më pas të dy hipën në një helikopterë për të vizituar zonat e prekura nga tërmetet.

Vizita e Dendias shënon vizitën e parë të një ministri evropian në Turqi që nga tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit.

“Dua të përcjell te udhëheqja turke dhe populli turk ngushëllimet më të sinqerta nga Qeveria e Mitostakis dhe nga i gjithë populli grek për humbjet pas dy tërmeteve shkatërruese”, tha Dendias gjatë konferencës për media në Cavugoslun në Antakia, duke iu referuar kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.

Greqia dhe Turqia kanë rivalitet që daton me shekuj, por rivaliteti mes tyre është përkeqësuar për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale dhe të energjisë dhe së fundmi nga kërcënimet e bëra nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, për pushtim.

Por, të dy shtetet fqinje, që gjenden mbi dy linja sizmike, kanë traditë që ta ndihmojnë njëra-tjetrën gjatë fatkeqësive natyrore, raporton Radio Evropa e Lirë.

Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri pas tërmetit katastrofik të së hënës ka arritur në 33,181.

Zyrtarët thonë se janë lëshuar 113 urdhërarreste në lidhje me ndërtimin e godinave që u shembën në tërmetin e së hënës në Turqi.

Policia turke ka marrë tashmë të paktën 12 vetë në paraburgim, duke përfshirë kontraktorët e ndërtimit.

/Shqip.com