Lajme

Grenell: Biden po e injoron Kosovën dhe Ballkanin në përgjithësi

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.

Richard Grenell, ish-emisari amerikan për Dialogun Kosovë-Serbi, beson se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden është “duke e injoruar” Kosovën dhe gjithë rajonin.

Këtë konstatim, Grenell e dha përmes një shkrimi autorial në “The Federalist”, ku shkroi për Marrëveshjen e Uashingtonit, akt që më 4 shtator mbushi një vit.

“Biden vazhdon të injorojë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe gjithë rajonin. Ai ka vendosur të mos ndërhyjë. Nuk ka asnjë të dërguar presidencial për negociata dhe asnjë diskutim e plan për rajonin në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell.

Sipas tij, edhe në vazhdim do të jetë e njëjta qasje e administratës Biden në raport me Ballkanin Perëndimor.

“Nuk ka asnjë vizitë të planifikuar të zyrtarëve të lartë amerikanë, as ndonjë datë për mbërritjen e udhëheqësve ballkanikë në Uashington”.

Gjithashtu, Grenell shpjegoi “qëllimin e Trump-it”, në marrëveshjen që për synim kishte normalizimin ekonomik.

“Ishte vizioni i Donald Trump për Kosovën dhe Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe për të ndihmuar në krijimin e një rigjallërimi të plotë në të gjithë Ballkanin”.

Lexo edhe:
Rama shpalosë idenë për kryeqytetin, ka plane për rritjen e hapësirave publike

Grenell nuk e la pa e përmendur edhe divergjencën që SHBA-ve e drejtuar nga Donald Trump që e kishte me Bashkimin Evropian – sidomos për rajonin.

Sipas Grenelllit, nën drejtimin e dialogut nga Brukseli “s’do të ketë ndihmë të shpejtë për Kosovën e Serbinë”.

Ndërsa, për orientimin e bisedimeve nga Uashingtoni, Grenell përmendi disa suksese, që përfshinë marrëveshjen për hekurudhat dhe vijën ajrore Prishtinë-Beograd.

Marrëveshja e Uashingtonit ishte nënshkruar në dy dokumente, njërën e nënshkroi kryeministri atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, e tjetrën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Pjesa më e madhe e pikave ishin të njëjta; si për shembull ajo që e përmendi Grenell; shpallja e Hezbollahut si organizate terroriste.

Ndërkaq, pika që Serbia s’e nënshkroi, por Kosova po – ka qenë njohja nga izraeli, e cila ndodhi – më 1 shkurt 2021 Kosova dhe Izraelin lidhën marrëdhënie diplomatike.

Të dy vendet ishin të obliguara ta dërgonin ambasadën në Jerusalem, Prishtina e ka bërë, Beogradi ende jo. Lokacion i kontestuar në rrafshin gjeopolitik.

“Besimi i Presidentit Trump që nga fillimi ka qenë se besimi është ndërtuar së pari në procesin e krijimit të mundësive dhe të ardhmave për të rinjtë, sesa në zgjidhjen e pkave, simbolizmin ose ndreqjen e gabimeve historike”, ka shkruar ndër tjerash Grenell.

Pikërisht, Donald Trump gjatë kampanjës për president vitin e kaluar, kishte thënë se “e ka ndaluar vrasjen ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”.

Në atë kohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, opozitar i atëhershëm kishte mbështetur hapur Joe Biden për president, e fjalimet e Trump-it i kishte quajtur “shfaqje” bashkë me të edhe marrëveshjen për të cilën besonte se “nuk vlen më shumë sesa ngjyra e printerit”.

Edhe si kryeministër, Albin Kurti, s’ka pranuar që ta ratifikojë atë marrëveshje.

Ky i fundit ka pasur përplasje virtuale me Richard Grenllin i cili për Kurtin beson se është “anti-amerikan”.

Marrëveshja e Uashingtonit.

Më 4 shtator nën ndërmjetësimin e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, Kosova dhe Serbia u takuan në Shtëpinë e Bardhë.

Qëllim ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje për normalizim ekonomik.

Kosovën e përfaqësonte Avdullah Hoti si kryeministër, ndërsa Serbinë, presidenti, Aleksandër Vuçiq.

Hoti e Vuçiq nënshkruajtën dy dokumente të ndryshme me SHBA-të.

Shumica e pikave ishin të përbashkëta, por njohja nga Izraeli ishte unike, e nënshkroi veç Hoti, akti i thënë në letër ndodhi në praktikë më 1 shkurt të këtij viti.

Pikat e marrëveshjes së 4 shtatorit

– Të dy palët do të hapin dhe funksionalizojnë strukturën e Pikave të Përbashkët në Merdare

– Të dy palët do të bashkohen në zonën “mini-Shengen” të njoftuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor 2019 dhe do të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj.

– Të dy palët do të njohin reciprokisht diplomat dhe certifikatat profesionale,

– Të dy palët do të bien dakord të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe subjekte të tjera të përshtatshme të Qeverisë së SHBA, në një studim të fizibilitetit për qëllimet e ndarjes së Liqenit të Gazivodes/ Ujmanit, si një furnizim i besueshëm i ujit dhe energjisë.

– Të dy palët do të zgjerojnë furnizimet e tyre të energjisë.

– Të dy palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G të furnizuar nga shitës të pabesueshëm në rrjetet e tyre të komunikimit. Kur pajisjet e tilla janë tashmë të pranishme, të dy palët angazhohen për heqjen dhe përpjekjet e tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur

– Të dy palët do të rrisin kontrollimin e pasagjerëve në linjat ajrore, shkëmbimin e informacionit midis tyre dhe brenda kornizës së bashkëpunimit më të gjerë të SHBA-së në Ballkan dhe do të angazhohen për azhurnime të teknologjisë për të luftuar aktivitetet e paligjshme duke zbatuar dhe funksionalizuar sistemet e shqyrtimit dhe informacionit të ofruara nga SH.B.A., përfshirë PISÇES, APIS, ATS-G dhe SRTP.

– Të dy palët zotohen të mbrojnë dhe promovojnë lirinë e fesë, duke përfshirë komunikimin e rinovuar ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që i përkasin Kishës Ortodokse Serbe, dhe kthimin e vazhdueshëm të pasurisë hebreje të pa trashëguar dhe të pa kërkuar të Holokaustit.

– Të dy palët zotohen të shpejtojnë përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar mbetjet e personave të zhdukur.

– Të dy palët angazhohen për identifikimin dhe zbatimin e zgjidhjeve afatgjata për refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit.

– Të dy palët angazhohen të identifikojnë një pikë kontakti për të udhëhequr këto përpjekje brenda ministrive të tyre përkatëse të qeverisë dhe për të koordinuar midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe do të ofrojnë një azhurnim vjetor mbi numrin e çështjeve të zgjidhura në pritje

– Të dy palët do të punojnë me 69 vendet që kriminalizojnë homoseksualitetin për të nxitur dekriminalizimin

– Të dy palët zotohen të deklarojnë Hezbollah në tërësinë e saj si një organizatë terroriste dhe të zbatojnë plotësisht masat për të kufizuar operacionet dhe aktivitetet financiare të Hezbollah në juridiksionet e tyre

– Kosova (Prishtina) do të pranojë të zbatojë një moratorium një-vjeçar rreth kërkesës për t’u anëtarësuar në Organizatat Ndërkombëtare. Serbia [Beogradi] do të bie dakord për një moratorium një-vjeçar të fushatës së saj të çnjohjes dhe do të tërhiqet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose Organizata Ndërkombëtare për të mos e njohur Kosovën [Prishtinë] si një shtet i pavarur. Të dy marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë.

– Kosova dhe Izraeli bien dakord të njohin njëra-tjetrën. /Shqip.com