Lajme

Grantet për bujqësinë e blegtorinë për këtë vit do të jenë 26 milionë euro

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në konferencë për media

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka bërë prezantimin e programit për Zhvillim Rural apo grantet për vitin 2022, ku përfshihen fermerët dhe bujqit në të gjithë Kosovën.

Peci përmes një konferencë për media ka thënë se vlera e këtyre granteve është 26 milionë euro.

“Programi për zhvillim rural për grante ofron mundësi të financimit të projekteve për fermerët, agro-përpunuesit, bizneset rurale dhe grupet lokale të veprimit në të gjithë Kosovën”, ka thënë Peci.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se qëllim i programit është mbështetja e rritjes së konkurrencës në sektorin agro-ushqimor.

“Programi ka për qëllim rritjen e konkurrencës së sektorit  agro-ushqimor duke përmirësuar efikasitetin dhe qëndrueshmërinë në fermë, përkrahjen e fermerëve të rinj, për të orientuar prodhimin sipas kërkesës së tregut, sigurimin e përgjigjes më të mirë ndaj kërkesës për ushqim më cilësor”, ka thënë ndër të tjera Peci.

Peci gjatë kësaj konferencë ka theksuar se 13 milionë euro, do të ndahen që fermerët të mund të përfitojnë investime në strukturën e fermave, përmirësimin e kushteve higjienike në fermat blegtorale, modernizimin e pajisjeve dhe objekteve për, siç tha ai, arritje të standardeve evropiane.

Ministri i Bujqësisë ka deklaruar se do të ketë rritje të sipërfaqeve me pemë, dhe perime në plantacione të hapura. po ashtu tha se 5.8 milionë do të ndahen për përpunim të qumështit, mishit, pemëve dhe verës.

“Javën që vjen, nis hartimi i udhëzimit administrativ për zbatimin e këtij programi, grantet në bujqësi, dhe do të miratohet pas realizimit të procesit konsultativ të dëgjimit paraprak dhe të dëgjimit publik”, shtoi ai.

Peci ndër të tjera ka bërë thirrje për të shmangur parregullsitë, në momentin e vlerësimit do të kalojnë edhe nëpër duart e partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile./Shqip.com