Sport Shqiptar

Goli i Asllanit në garë për më të mirin (VIDEO)

Kristjan Asllani realizoi një perlë të vërtetë në fitoren e Shqipërisë përballë Ishujve Faroe me rezultatin 3-1. Supergoli i futbollistit të Interit çoi peshë zemrat e tifozëve shqiptarë dhe i dha sërish avantazhin kuqezinjve në një udhëtim delikat.

Së fundmi, faqja zyrtare e UEFA-s, e ka përzgjedhur golin e Asllanit mes më të bukurve të raundit të katërt të kualifikueseve të Euro 2024. Supergoli i mesfushorit është në garë me tre realizime të tjera.

Në fitoren 2-0 të Turqisë me Uellsin, talenti 18-vjeçar Arda Guler realizoi një supergol në minutën e 80-të dhe njëjtë si Allsani edhe realizimi i futbollistit të Fenerbahce është në garë për golin më të bukur të raundit të katërt.

UEFA ka përzgjedhur edhe golin e Roland Sallai në minutën e 83-të kundër Lituanisë. Hungaria e tij triumfoi 2-0 në shtëpi dhe 26-vjeçari vulosi fitoren me një perlë të vërtetë.

I fundit në garë është talenti i Anglisë, Bukayo Saka i cili realizoi tre gola në fitoren e thellë të Anglisë përballë Maqedonisë së Veriut me rezultatin 7-0. Futbollisti i Arsenalit realizoi një gol mjaft të bukur në minutën e 47-të të pjesë së dytë, falë një kombinimi perfekt me Trent Alexander – Arnold.

Tashmë, votimi është hapur dhe të gjithë mund të votojnë në faqen zyrtare të UEFA-s për të përzgjedhur për të dytën herë radhazi si golin më të bukur të raundit një tjetër realizim shqiptar.

/Shqip.com