Rozë

Gold AG: Nuk do të kisha besuar se në Kosovë mund të ndodhin vrasje për shkak të muzikës

Ngjarja tragjike në Ferizaj ka prekur mbarë opinionin publik.

Vrasja e Gazmend Hysenit, ku i dyshuar është vëllai i Butës, Qëndrim Januzaj vazhdon të komentohet nga i madh e i vogël.

Tekstet e reperëve që po nxisin dhunë e vrasje janë bërë temë në televizionet shqiptare ku po diskutohen nga analistë e këngëtarë.

Lidhur me këtë ka folur edhe Arian Agushi, i njohur me nofkën artistike Gold Ag i cili në Debat Plus ka thënë se nuk do e besonte se në Kosovë mund të ndodhin vrasje për shkak të muzikës.

“Në Kosovë vrasje për shkak të repit nuk ka pasur, por vetëm rrahje…Nuk do të kisha besuar se në Kosovë mund të ndodhin vrasje për shkak të muzikës. Ne nuk mund të shkojmë deri në atë masë sa të vritemi për shkak të një fjalë të një kënge”, ka deklaruar reperi.

Teksa ka shpresuar se ky rast të jetë i fundit, Gold AG ka potencuar se nuk e ka njohur as dorasin dhe as viktimën.

“Nuk i kam njohur personalisht asnjërin, jam prekur me rastin shumë. Ajo që më prek më së shumti është se kanë qenë miq dhe që nuk ka mundur së paku miku i tretë të arrijë marrëveshje që t’i pajtojë. Kam shoqëri në Ferizaj, plot e kanë lëvduar edhe të vrarin, por edhe dorasin”, përfundoi ai.

Pëndryshe,  Qëndrim Januzit, i dyshuar për vrasjen e 30 vjeçarit në Ferizaj, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Ferizaj./Shqip.com