Gola – dedikuar atyre që nuk janë më

Të shënosh gol është ndjenjë e veçantë për çdo futbollist që e djersit fanelën në fushën e gjelbër.
Por, nganjëherë festimi i tyre ka një prapavijë emocionale – që mbush me lot edhe publikun.
I tillë është rasti i anëtarit të KF Gjakovës, Lirim Ibrahimi, për të cilin ky sport është dashuri, pasion dhe punë.
Ibrahimi – pati një rast vdekje në familje, muaj më parë, ku djali i vëllait të tij, Aresi ndërroi jetë në moshën tetë vjeçare pas një aksidenti. Tashmë golat janë dhe çdo suksesi i Lirimit, janë dedikim për të.
“Mundohem që dedikimet e golave t’i bëj për disa njerëz që nuk janë më pjesë e jetës sime. Momenti ma i veqantë edhe emocionues në të njëjtën kohë është goli që kam shënuar pas një ngjarje mjaftë të mërzitshme që e kam kaluar.
Është goli që ja kam dedikuar djalit të vllaut tim – që para shtatë muajve ndërroi jetë në një aksident. Kjo më ka bërë që të mërzitem dhe të mundohem që në të ardhmen ai të jetë një motiv shtesë për mua dhe çdo sukses mundohem të i’a dedikoj atij”, tha ai.

Por, dedikime ka bërë edhe në të kaluarën, për babain e tij, i cili është dëshmor.
“Po sigurisht pas çdo goli tim dhe shumë gola, kohë më parë i’a kam dedikuar babait tim dëshmor, Gani Ibrahimi pasi ka qenë gjithmonë inspirim i imi, jo vetëm në futboll, por edhe në çdo sferë të jetës”, shtoi 23 vjeçari

Ibrahimi në pritje të kalimit në futbollin evropian
Ani pse nuk luan në elitën e futbollit kosovar, ai është në pritje të ndonjë transferi në Evropë, pasi ka qenë në prova te disa skuadra.
“Synimet e mia në futboll kanë qenë gjithmonë të mëdha, pasi asnjëherë nuk jam dorëzuar dhe vazhdoj ta ndjekë ëndrrën – që di ta bëjë më së miri: të luaj futboll.
Por, pavarësisht të gjithave, uroj ta kem shëndetin dhe që shumë shpejtë të kem disa lëvizje në Evropë, sepse pari 1 viti kam pasur disa prova në disa ekipe dhe jam në pritje të ndonjë transferimi të mundshëm”, përmendi mesfushori.
Me këtë sport, ai ka filluar të merret qysh në moshën 13 vjeçare, në shkollën e futbollit KFGjakova, teksa njihet për aftësitë e tij dribluese dhe vizionin për t’i “ushqyer” bashklojtarët e tij me asistime.
“KF Gjakova fatkeqësisht ka pasur një sezon vjeshtor jo shumë të mirë, pasi ekipa e parë është e re dhe ka vetëm dy vite është riformuar pas shumë viteve. Ka pasur një tranzicion të lojtarëve, por mendoj që ky ekip do të rikthehet fuqishëm dhe mbetja në ligë as që do të diskutohet”, nënvizoi 23 vjeçari.
Për, fund ai tregon edhe futbollistin e preferuar – Leo Messin, që sipas tij, është më i miri i të gjitha kohërave.
“Futbollisti që e kam ndjekur qysh i vogël dhe vazhdoi ta ndjekë edhe tash ka qenë dhe do të mbetet Leo Messi. Si për shumë kënd edhe për mua, ai është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave”, tregoi Lirim Ibrahimi.
Përveç KF Gjakovës, në të kaluarën ai ka luajtuar edhe në skuadra të tjera si KF Hajvalia dhe KF Behari. /Shqip.com