Lajme

Gjykata vendos për tre mjekët e dyshuar në rastin e foshnjës së vdekur në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren ua ka caktuar masën e sigurisë tre mjekëve të dyshuar për rastin e foshnjës së vdekur në Spitalin e Prizrenit.

Një person të martën ka raportuar në polici se foshnja e tij ka vdekur disa minuta pasi është lindur dhe ai dyshon se kjo ka ardhur si pasojë e mostrajtimit të duhur nga stafi mjekësor në Spitalin e Prizrenit. Lidhur me rastin janë arrestuar tre mjekë.

E gjyqtari i  procedurës – Fatmir Krasniqi, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj dy mjekëve F.S., dhe G.S., si dhe masën e lajmërimit në stacion policor ndaj mjekut tjetër S.R., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale, trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor dhe manipulimi me prova.

“Masa e sigurisë do të vlen nga data 27.06.2023, dhe mund të zgjasë deri më datë 27.07.2023”, thuhet në komunikatën për media.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së sigurisë për të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

Me datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë veprojnë haptazi në mënyrë të pakujdesshme si ekip i mjekëve me rastin e lindjes së fëmijës, derisa i është renduar dhe përkeqësuar gjendja e të dëmtuarës (pacientes), dhe e fëmijës, me ç ‘rast pasi kuptojnë për gjendjen e të dëmtuarës dhe fëmijës ekipi i mjekëve – të pandehurit intervenojnë me vonesë mirëpo fëmija i porsalindur nuk arrin të mbijetoj – vdesë.

Gjithashtu, më datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Prizren, në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë fshehin, ose e bëjnë të pashfrytëzueshëm, tërësisht sendin – provën kryesore me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të sendit në procedurë zyrtare, në atë mënyrë që pas lindjes, të pandehurit placentën e fetusit të fëmijës të posa lindur i cili ndërron jetë pas lindjes, me qëllim që të fshehin çështjen e të provuarit lidhur me shkakun e vdekjes së foshnjës këtë placentë nuk e regjistrojnë dhe identifikojnë dhe e vendosin së bashku duke e përzier me placentat tjera në vendin ku i ruajnë, nuk e dërgojnë në IML së bashku me trupin e pajetë të foshnjës i cili është dërguar në autopsi me urdhër të prokurorit, e cila provë është vendimtare për përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

“Shënim: Me datë 29.06.2023, Prokuroria Themelore në Prizren, kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) të pandehurve për veprat penale si më lartë. Në seancën dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë te datës 29.06.2023, Prokurori i Shtetit ka deklaruar se tërhiqen nga kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, dhe ka propozuar që ndaj të pandehurve F:S., dhe G.S., të caktohet masa e arrestit shtëpiak, dhe ndaj të pandehurit S.R., të caktohet masa paraqitje në stacion policor”, thuhet tutje në njoftim. 

/Shqip.com