Lajme

Gjykata vendos paraburgim një muaj për dy të arrestuarit e aksionit të fundit “Brezovica”

Ilustrim

Dy të arrestuarve në aksionin e katërt të koduar “Brezovica”, zyrtarit doganor dhe kryetarit të bordit të “Ski Center Brezovica”, u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj.

Sipas Gjykatës Themelore në Ferizaj, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”.

 “Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë. Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy (2) të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara si më lartë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Arrestimi i tyre u bë gjatë aksionit të zhvilluar me 16 mars, në shtatë lokacione të ndryshme në Komunën e Shtërpcës.

Para këtij aksioni, janë realizuar dhe tri aksione të tjera, që rezultuan me dhjetëra arrestime, përfshirë zyrtarë shtetëror të nivelit qendror e lokal si dhe investitorë.

Të njëjtit dyshohen për marrje dhe dhënie ryshfeti, si dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Pretendimet e prokurorisë për veprat penale, lidhjen me dyshimet për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, zona e Brezovicës.

Në mesin e të arrestuarve janë ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si ish- sekretari i Përgjithshëm, Arben Çitaku dhe kryeinspektori, Bedri Halimi si dhe nga niveli lokal, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq.

Vërejtje: Të gjithë personat e lartpërmendur si të dyshuar, konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Kosovës./Shqip.com