Lajme

Gjykata Speciale jep detaje të reja lidhur me proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Gjykata Speciale ka dhënë detaje të reja lidhur me proceset ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë për media, Angela Griep, shefe e Informimit dhe Komunikimit Publik e Gjykatës Speciale, diskutoi aspekte të ndryshme lidhur me zhvillimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, duke konfirmuar se data e synuar për mbylljen e paraqitjes së provave nga Prokuroria është 1 prilli 2025.

Të enjten u bë e ditur se deklaratat hyrëse nga Prokuroria, mbrojtësi i viktimave dhe mbrojtja janë planifikuar të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill 2023, ndërsa paraqitja e provave nga Prokuroria është planifikuar të fillojë më 11 prill 2023.

Për çështjen Thaçi dhe të tjerët u caktua Tijana Kostiç si mbrojtëse për shtatë individë që nuk iu pranua kërkesa për të marrë pjesë si viktima në procesin gjyqësor. Individët që nuk iu pranua kërkesa, kanë të drejtën të apelojnë vendimin si dhe t’u caktohet avokat.

Sipas Angela Griep, trupi gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pasi konstatoi se ekziston ende rreziku Krasniqi dhe Selimi të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor ose të kryejnë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, mes të cilëve dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara.

Ndërsa në çështjen tjetër gjyqësore, paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi kërkesën e Salih Mustafës për apelimin e vendimit të panelit mbi modalitetet e pjesëmarrjes së viktimave në procedurat e Apelit.

Në gjykimin e Pjetër Shalës, dëshmitari i parë do të paraqitet për të dhënë dëshmi të hënën.

Seancat në këtë çështje do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, javën e parë dhe të fundit të majit, si dhe rreth dy javë në qershor, raporton Kallxo.com

Theksojmë se më 27 shkurt 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit

Aty janë bërë të ditur emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

/Shqip.com