Lajme

Gjykata Speciale e liron Nasim Haradinajn

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj

Ish-pjesëtari i UÇK-së dhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, është liruar nga burgu.

Kjo është bërë me vendim të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në njoftim thuhet se Haradinaj është zotuar se “nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”.

“Më 12 dhjetor 2023, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e z. Nasim Haradinaj për lirimin e tij më 14 dhjetor 2023, ose rreth kësaj date, sipas kushteve të përcaktuara në vendim. Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj.”

“Për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe seancën që mbajti me z. Haradinaj. Gjithashtu, sikurse u përcaktua në vendimin e saj të mëparshëm të 12 tetorit 2023 lidhur me uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimit të z. Haradinaj, Kryetarja mori parasysh edhe raportin e dorëzuar nga Administratorja në lidhje me sjelljen e z. Haradinaj në objektin e paraburgimit. Kryetarja mori parasysh se, megjithëse veprat penale për të cilat z. Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij.”

“Konkretisht, Kryetarja konstatoi se z. Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit. Gjithashtu, Kryetarja mori parasysh pendesën e z. Haradinaj dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij. Kryetarja theksoi se në qoftë se z. Haradinaj nuk përmbush  cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet”.

Këto janë 10 kushtet që i janë vënë Haradinajt pas lirimit:

-garancia se do të banojë tërë kohën në adresën e shtëpisë, shënuar në Parashtrimet e Haradinajt;

-të informojë Administratoren dhe stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja për ndërrimin e vendbanimit të përhershëm, në varësi të miratimit nga Kryetarja;

-të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja;

-Administratores t’i dorëzohet pasaporta ose dokumentet e udhëtimit të z. Haradinaj;

-të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë Administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga Kryetarja;

–  të mos kontaktojë, as të komunikojë me dëshmitarë ose viktima (të mundshme) para Dhomave të Specializuara dhe ZPS;

– të mos japë deklarata publike drejtpërdrejt ose tërthorazi (vetë ose përmes të tjerëve) lidhur me Dhomat e Specializuara dhe ZPS në;

– të kërkojë leje dhe miratim nga Administratorja për intervista ose çfarëdo kontakti tjetër me median, sikurse përcaktohet në Udhëzuesin e Punës për të Paraburgosurit (Komunikimet me Mediat);

– të përmbushë vendimet ose urdhrat e Dhomave të Specializuara;

-të mos bëjë komente negative, të dhunshme, frikësuese, kërcënuese ose shtrënguese ndaj ose rreth dëshmitarëve (të mundshëm) ose personave të tjerë që janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara, dhe ndaj ose rreth zyrtarëve të Dhomave të Specializuara ose të ZPS së.

/Shqip.com