Teknologji

Gjykata ruse ndalon Instagramin dhe Facebookun si organizata “ekstremiste”

Një gjykatë në Moskë të hënën ndaloi Facebook dhe Instagram si organizata “ekstremiste”, pasi autoritetet akuzuan gjigantin amerikan të teknologjisë Meta për tolerimin e “rusofobisë” gjatë konfliktit në Ukrainë.

Gjykata tha se kishte rënë dakord me një kërkesë nga prokurorët që dy platformat e mediave sociale të ndaloheshin për “kryerjen e aktiviteteve ekstremiste”, por se shërbimi i mesazheve WhatsApp i Metës nuk do të ndalohej sepse nuk është një platformë publike, shkruan The Moscow Times.

Masa është pjesë e përpjekjeve gjithëpërfshirëse të Moskës për të goditur mediat sociale në mes të veprimeve të saj ushtarake në Ukrainën pro-perëndimore.

Gjatë seancës dëgjimore të së hënës, shërbimi rus i sigurisë FSB akuzoi Metën se punon kundër interesave të Moskës gjatë konfliktit.

“Aktivitetet e organizatës Meta janë të drejtuara kundër Rusisë dhe forcave të saj të armatosura,” tha përfaqësuesi i FSB-së, Igor Kovalevsky në gjykatë, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.

“Kërkojmë që të ndalojë veprimtarinë e Metës dhe ta detyrojë atë të zbatojë menjëherë këtë vendim”, tha ai.

Pasi Presidenti Vladimir Putin dërgoi trupa në Ukrainë më 24 shkurt, autoritetet bllokuan hyrjen në Rusi në Facebook dhe Instagram, si dhe në Twitter.

Meta kishte njoftuar më 10 mars se platformat do të lejonin deklarata si “vdekje pushtuesve rusë”, por jo kërcënime të besueshme kundër civilëve.