Lajme

Gjykata refuzon pranimin e fajësisë ndaj ish-drejtorit të Administratës dhe Financave të KPM-së për marrjen e 8 mijë eurove ryshfet

Gjykata Themelore Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar pranimin e fajësisë së ish-drejtorit të Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave, Arben Bilalli, duke u arsyetuar se është bërë në kundërshtim me dispozitat penale, pasi që vepra penale është kryer në bashkëkryerje, përcjell Shqip.com.

I akuzuari është deklaruar fajtor në seancën fillestare të së mërkurës në lidhje me akuzat se nga pronari i kompanisë “Telkos” kishte pranuar tetë mijë euro ryshfet.

I akuzuar tjetër është edhe ish-kryeshefi i KPM-së Luan Latifi, i cili në këtë seancë është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Lidhur me pranimin e fajësisë nga i akuzuari Bilalli, u pajtua prokurorja Lluqiqi si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Bilalli, avokati Florent Latifaj, por që kjo është refuzuar nga gjykatësi Alban Ajvazi, raporton Betimi për Drejtësi.

Po ashtu, mbrojtja e dy të akuzuarve, avokatët Florent Latifaj dhe Driton Musliu, kanë kërkuar nga Gjykata që atyre t’u ndërprehet masa e paraburgimit.

Lidhur me këto kërkesa, prokurorja ka kërkuar nga Gjykata që ato t’i refuzojë dhe t’iu vazhdohet paraburgimi dy të akuzuarve.

Për propozimet e mbrojtjes, gjyqtari Ajvazi tha se do të vendosë jashtë seancës me një aktvendim të posaçëm.

Ndërsa, për kundërshtimet e provave dhe kërkesat për hudhje të aktakuzës, gjykatësi ka njoftuar palët se kanë afat 30 ditë që t’i parashtrojnë këto kërkesa.

Kurse, aktakuza që është ngritur më 15 shtator 2021, e ngarkon Luan Latifin se në cilësi të kryeshefit të KPM-së dhe Arben Bilallin në cilësi të drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kanë kërkuar dhe marrë ryshfet tetë mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Tel Kos”.

Sipas aktakuzës, ky ryshfet ishte pranuar nga të akuzuarit me qëllim që kompanisë “Tel Kos” të mos i shqiptohet gjobë për shkak se kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Në aktakuzë thuhet se Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve u kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke thënë se këtë po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Por, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment sipas prokurorisë, i akuzuari Bilalli i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri ishte kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për tu bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Pas kësaj, prokuroria po pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilën ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro dhe ia kishin sekuestruar.

Për këto veprime dy të akuzuarit po dyshohen për veprën penale “marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme  me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet./Shqip.com