Lajme

Gjykata në Prizren i cakton një muaj paraburgim 76-vjeçarit të dyshuar për pedofili

76 vjeçari nga Prizreni

Është caktuar paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj për të dyshuarin F.K., 76-vjeç i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ofrim i materialit pornografik personave nën moshën 16 vjet.

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

“Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale. Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, dhe faktin se i pandehuri nuk është paraqitur në Polici me ftesë të rregullt, kjo tregon rrezikun me lënien në liri të të pandehurit i njëjti mund ti shmanget përgjegjësisë penale dhe të pengojë rrjedhën e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimit i paraburgimit në këtë fazë të procedurës është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm./Shqip.com