Lajme

Gjykata merr vendim për masën e paraburgimit ndaj Dardan Krivaqës

I dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, Dardan Krivaqa

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj të pandehurit Dardan Krivaqa për shkak se dyshohet që ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, njofton Shqip.com.

Sipas njoftimit, ekziston dyshimi se i pandehuri më 21 gusht në banesën e tij në Ferizaj, me dashje, në mënyrë mizore e për motive të ulëta ka ushtruar fillimisht dhunën psikike dhe pastaj edhe dhunë fizike.

Kurse, më 22 gusht, pas dhunës së ushtruar nga ai, viktima ka ndërruar jetë.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, pastaj edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Ndërsa, gjithnjë sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri, A.S., gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjajrjes e i cili ka marrë pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejt në vdekjen e viktimës.

“Kurse i pandehuri A.S. gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur”, thuhet më tej në njoftim. /Shqip.com