Lajme

Gjykata merr vendim për katër të arrestuarit në rastin “Brezovica”

Rasti Brezovica

Gjykata Themelore në Ferizaj ka marrë vendim për paraburgimin e dy të arrestuarve në rastin “Brezovica”, ndërsa dy të tjerët janë liruar.

Në njoftimin e Gjykatës, u bë e ditur se në këtë rast kanë gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale marrje apo dhënie të ryshfetit, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy (2) të dyshuarve: XHB., dhe XH.SH.,e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq sa i përket të pandehurve I.F. dhe B.P., Gjykata i ka caktuar masë e sigurisë me të cilën është urdhëruar ndalimi për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaji, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Gjatë ditës së enjte, Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona në aksionin “Brezovica”.

Siç njofton Prokuroria, të katër persona dyshohen se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Dhënia e ryshfetit”.

Lexo edhe:
Aksioni “Brezovica”, arrestohen katër persona – njëri prej tyre ish-sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës

Po ashtu, gjatë bastisjes në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: Pushkë e gjuetisë, revole, telefon celuar, laptop dhe dokumente të ndryshme./Shqip.com