Lajme

Gjykata liron Pal Lekajn nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Pal Lekaj.

Pal Lekaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të premten është liruar nga akuzat për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” në kohën sa ishte kryetar i Gjakovës, përcjell Shqip.com.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ai së bashku me tre të dyshuar tjerë, janë liruar nga akuza “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe “Mashtrim me subvencione”.

“Trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave, si dhe rekomandimeve të Gjykatës së Apelit, ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale si në aktakuzë”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Sipas njoftimit, i dyshuari G.R., akuzohej se si financier në Komunë gjatë periudhës 2008-2012, e kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e disa mjeteve monetare për përfitime personale.

Tutje, gjithnjë sipas aktakuzës, kjo kishte të bënte me pagesat që iu kishin bërë biznesit “DPR U.V.” me pronar V.H., për shpërndarjen e disa subvencioneve pa asnjë procedurë dhe pa kontrata të rregullta.

“Ndërsa i pandehuri V.H., akuzohej se në cilësinë e përgjegjësit kryesor të biznesit “U.-V.”, me seli në Gjakovë, në periudhën kohore 2008-2014, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë”, njofton Gjykata./SHQIP.com

.