Lajme

Gjykata lë në burg Dumanin i cili akuzohet për vrasje të trefishtë

Gjykata e Elbasanit e zhvilloi në Spitalin e Traumës në Tiranë seancën për dhënien e masës së sigurisë ndaj Nuredin Dumanit (37 vjeç).

I akuzuar për vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, në 17 shtator 2020 në një lokal në Bradashesh, gjykata konfirmoi lënien në qeli.

Dumani po qëndron ende në spital pas atentatit në Papër të Elbasanit, ku mbeti i plagosur.

Mësohet se Dumani nuk ka pranuar të japë shpjegime në seancën e së shtunës. Kjo është masa e tretë “arrest me burg” për Dumanin.

Më herët SPAK i ka komunikuar atij të njëjtën masë edhe për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë në 2020-ën, si dhe për atentatin e dështuar në 29 mars në Elbasan.

Bashkë me Nuredin Dumanin policia ndaloi mikun e tij Henrik Hoxhaj, të cilin gjithashtu gjykata e la në arrest në burg deri në përfundim të hetimeve.

Në momentin e arrestimit Hoxhajt iu gjet një pistoletë me vete.

Gjykata vendosi gjithashtu të lërë në masën detyrim paraqitje një 20-vjeçareje nga Kosova që u mbrojt se nuk kishte dijeni për të shkuarën kriminale të bashkëjetuesit të saj.

Policia arrestoi edhe 2 mjekë dhe një infermier të Fierit që kuruan Dumanin pas atentatit dhe nuk denoncuan rastin.

Ata do të dalin të dielën para gjykatës. /Shqip.com