Lajme

Gjykata Komerciale nis zyrtarisht punën

Gjykata Komerciale

Gjykata Komerciale e ka filluar zyrtarisht punën.

Kështu ka njoftuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu tha masa kishte shumë dyshime nga masa se funksionalizimi i kësaj gjykate nuk do të ndodhte edhe për 5 vjet të tjera.

“Në korrik të vitit të kaluar, Qeveria procedoi në Kuvend, ligjin që themelonte Gjykatën Komerciale.

Edhe përkundër zotimeve tona për funksionalizim të shpejtë të saj, në debate televizive gjithandej, thuhej se Gjykata Komerciale nuk mund të funksionalizohet para 5 viteve. Gjykata Komerciale filloi punën shumë pak muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit”, ka shkruar ajo në Facebook.

Në anën tjetër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se kjo Gjykatë ka nisur të pranojë lëndët e para të martën.

“Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, ju dëshiron punë të mbarë gjyqtarëve dhe stafit mbështetës të Gjykatës Komerciale, dhe ri thekson përkushtimin për të vazhduar me mbështetjen e nevojshme për funksionalizimin e plotë të kësaj gjykate”, është thënë në njoftimin e KGJK-së.

Gjykata Komerciale

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Gjykatën Komerciale në fillim të vitit 2022.

Kjo gjykatë synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që bizneset mund të kenë mes vete.

Gjykata Komerciale është kompetente për të gjykuar dhe ka juridiksion ekskluziv për të gjykuar, në Dhomat e shkallës së parë dhe Dhomat e shkallës së dytë, kontestet ndërmjet shoqërive tregtare vendore dhe të huaja, kontestet në mes të institucioneve publike dhe subjekteve private, si dhe kontestet në mes të personave juridikë vendorë dhe të huaj, në lidhje me çështjet e ndërsjella tregtare.

Vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë personat fizikë dhe juridikë.

Gjykata publikon të gjitha aktgjykimet në faqen e saj zyrtare të internetit, në afat prej 60 ditësh nga data e nxjerrjes së aktgjykimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi./Shqip.com