Lajme

Gjykata hedh poshtë propozimin e Odës së Noterëve/Haxhiu i gëzohet vendimit

Ministrja e Drejtësisë,. Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se është refuzuar si i pabazuar propozimi i Odës së Noterëve për shtyrje te ekzekutimit të Udhëzimit Administrativ për tarifat noteriale.

Ajo ka thënë se duke u bazuar në ligjin në fuqi ajo ka nënshkruar udhëzimin e ri më të cilën përfitojnë shumë persona – duke ulur tarifën për shërbime noteriale.

“Pas një procesi të gjerë konsultimesh, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, dhe në linjë me prioritetet tona qeverisëse, më datë 22.07.2022, kam nënshkruar Udhëzimin e ri Administrativ për Tarifat Noteriale, me të cilin ulen konsiderueshëm tarifat për shërbimet noteriale, si dhe lirohen në tërësi nga tarifat noteriale fëmijët pa kujdes prindëror, personat me nevoja të veçanta, personat që kërkojnë të realizojnë të drejtat në Qendrën për Punë Sociale dhe personat që përfitojnë nga Ligji për Ndihmë Juridike Falas”.

Ajo tha se me udhëzimin e ri nuk është pajtuar Oda e Noterëve e cila këtë udhëzim e dërgoi në Gjykatë, edhe pse e njëjta ishte e përfshirë në procesin e hartimit të tij.

“Gjykata e Themelore në Prishtinë sot e refuzoi si të pa bazuar propozimin për shtyrje të ekzekutimit të Udhëzimit të ri Administrativ për Tarifat Noteriale.

Shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time për stafin e Ministrisë së Drejtësisë, për angazhimin e tyre në hartimin e udhëzimit, por edhe ne argumentimin e tij para gjykatës”, ka shkruar ajo.