Lajme

Gjykata e shpall të pafajshëm, Emrush Thaqi thotë se aktakuza ndaj tij ka qenë politike

Emrush Thaqi në seancë gjyqësore

Gjykata Themelore në Prishtinë Emrush Thaqin dhe  Nexhib Shatri sot i ka shpallur të pafajshëm lidhur me akuzën për arratisjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) e tre të paraburgosurve, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, që si pacientë ishin duke u trajtuar aty.

Emrush Thaqi për Shqip.com thotë se vendimin për pafajësinë e tyre e kanë pritur.

Ai konsideron se kjo aktakuzë ka qenë politike dhe e fabrikuar.

“Dy herë shpallëm i pafajshëm dhe faktikisht kjo shpallje veçse është pritur pasi ka qenë aktakuzë politike dhe unë fare nuk kam qenë i përfshirë as në hetimin kur ka ndodhur aktakuza për shkak se mua aktakuzën EULEX-i ma ka ngritur mbi bazën  e pengesave që unë ia kam bërë në kontestin e asaj që ata kanë menduar se jo ligjërisht mund t’i kryejnë punët e veta brenda Shërbimit Korrektues”.

Thaqi po ashtu shprehet se akuza ka pasur qëllim vetëm eliminim e tyre nga pozita.

“Ne (të akuzuarit e tjerë ) dyshojmë që kjo është politike dhe çështje e eliminimit si pozitë asgjë tjetër, por që faktikisht 8 vite do të thotë se kemi rrugëtuar deri në pafajësi kjo është hera e dytë. Unë konsideroj që e drejta nëse ka drejtësi triumfon, nëse nuk ka frika gjithmonë në Kosovë është tek padrejtësia” ,tha ai.

Gjykata Themelore Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë, në prillin e vitit 2020 e kishte liruar nga akuza Sami Lushtakun dhe të tjerët për rastin e arratisjes nga QKUK e cila ndodhi në vitin 2014.Lushtaku ishte arratisur nga QKUK derisa po merrte trajtim mjekësor në kohën kur ishte në paraburgim për rastin “Drenica”.  

Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur më 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.

Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.

Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri e kishte anuluar Gjykata e Apelit./Shqip.com