Lajme

Gjykata e Apelit ja trefishon dënimin të akuzuarit për ngacmim seksual ndaj të miturës

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur fajtor N.G për veprën penale “Ngacmim seksual” ndaj një të miture, kështu duke e dënuar me gjashtë muaj burgim.

Siç ka raportuar Betimi për Drejtësi, Gjykata e Apelit të pandehurit ja ka rritur dënimin për një vit më shumë.

N.G ishte shpallur fajtor nën dyshimin se nga muaji janari deri në fund të muajit mars 2021, me qëllim të ngacmimit seksual, të miturën, fillimisht e kishte shikuar në mënyrë provokative, e ka joshur me dhurata, i ka dërguar foto të tija me pamje nga plazhi dhe më pas e ka prekur dhe përkëdhelur në dorë dhe në bel, si dhe e ka puthur në fytyrë afër buzës, duke cenuar dinjitetin e saj e duke krijuar një mjedis objektivisht frikësues, degradues ose poshtërues.

Në bazë të kësaj, i pandehuri  ka shkaktuar shqetësim të madh tek e dëmtuara për shkak të ndjeshmërisë së moshës. Por në gjykatë i njejti kishte pranuar fajësinë për veprën penale dhe kishte deklaruar se i ka bërë pa dashje.

Tutje, në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë thuhet se me rastin e matjes dhe shqiptimit të dënimit gjykata mori parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit.

Mirëpo, me këtë dënim nuk u pajtuan prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësit e të akuzuarit N.G, si dhe përfaqësuesja e autorizuar e të dëmtuarës A.Sh.

Prokurori i shtetit dhe përfaqësuesja e të dëmtuarës, përmes ankesës kishin kërkuar nga Gjykata e Apelit që N.G t’i shqiptohej një dënim më i lartë me burgim, ndërsa mbrojtësit e N.G i kishin propozuar Apelit që aktgjykimin e ankimuar ta anulojë pjesërisht dhe lëndën t’ia kthej në gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendim ose të njëjtën ta ndryshojë dhe të akuzuarit t’i shqiptohej vërejtje gjyqësore, dënim me gjobë apo të dyja.

Sipas vendimit të Apelit thuhet se, sa i përket sanksionit penal pretendimet ankimore të paraqitura në ankesën e Prokurorit të Shtetit dhe ankesën e përfaqësueses së autorizuar të të dëmtuarës përkitazi me dënimin e shqiptuar janë të bazuara, ndërsa pretendimet ankimore të mbrojtësve së të akuzuarit janë të pabazuara.

E Gjykata e Apelit në korrik të këtij viti, ka marrë vendim me të cilin ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë dhe N.G i ka shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj./Shqip.com