Lajme

Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim rastin ku i akuzuari dyshohet se ka vrarë djalin e axhës në Podujevë

Gjykata e Apelit
Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ku Baki Brahimi po akuzohet për vrasjen e djalit të axhës në Batllavë.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, Brahimi po akuzohet se në tetor të vitit 2021, pas mosmarrëveshjeve paraprake me djalin e axhës së tij lidhur me shfrytëzimin e një prone, ai e kishte vrarë të njëjtin në fshatin Batllavë të Podujevës.

Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, Brahimin pas pranimit të fajësisë, e ka dënuar për  disa vepra penale duke i shqiptuar dënimin prej 17 vite e 10 muaj burgim.

Kundër këtij aktgjykimi ka parashtruar ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të vendimit mbi sanksionin penal si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Florim Shefqeti.

Gjithashtu, ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë ka bërë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Brahimi, avokati Azem Ejupi, duke kërkuar kështu dënim më të butë për të mbrojturin e tij.

Në aktvendimin e Apelit të 24 qershorit 2022, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata ka aprovuar kërkesën e avokatit Ejupi si dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar vendimin dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Ndërsa, në lidhje me ankesën e prokurorisë dhe avokatit Shefqeti thuhet se tani për tani janë jo-lëndore.

“Ankesa e prokurorisë dhe përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, përkitazi me vendimin për dënim, tani për tani janë jo lëndore”, thuhet në aktvendim.

Gjithashtu në vendim thuhet se të akuzuarit Brahimi i vazhdohet paraburgimi deri në marrjen e aktvendimit tjetër nga gjykata e shkallës së parë.

Tutje, thuhet se aktgjykimi duhet anuluar po ashtu për arsyet se të njëjtit i mungojnë arsyet për faktet vendimtare, gjegjësisht ato që janë dhënë përkitazi me pranimin e fajësisë, janë në kundërshtim të plotë me shkresat e lëndës.

Në vazhdim, thuhet se nuk janë plotësuar kushtet procedurale për pranimin e fajësisë, ngase në rastin konkret ka fakte dhe rrethana që nuk janë vërtetuar, gjegjësisht fakte dhe rrethana që nuk kanë mbështetje në prova dhe shkresa të lëndës dhe atë, sidomos faktet që kanë të bëjnë me përgjegjësinë penale të të akuzuarit, i cili pretendon se veprat penale në fjalë i ka kryer nën ndikimin e frikës se do ta sulmojë tani i ndjeri, e që për këtë mbrojtësi i tij ka dyshime se Brahimi ka vepruar nën ndikim e sëmundjes së ashtuquajtur “Sindromi i deluzioneve paranoide”.

Në rigjykim, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë duhet të veprojë në pajtim me vërejtjet e cekura në vendim, të eliminojë kundërthëniet, të vlerësoj se a janë plotësuar kushtet për pranimin e fajësisë duke pasur parasysh dispozitivin e aktakuzës përkitazi me tri veprat penale, se a plotësohen elementet objektive dhe subjektive të veprave penale si dhe faktet dhe rrethanat përkitazi me përgjegjësinë penale të të akuzuarit, e pastaj, varësisht nga mënyra e vendosjes të vazhdojë me procedurë në mënyrë të rregullt.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Baki Brahimi akuzohet se më 17 tetor 2021, në fshatin Gërdofc të Podujevës, pas një mosmarrëveshje lidhur me shfrytëzimin e livadhit,me të dëmtuarin, tani të ndjerin G.B., i pandehuri nga oborri i shtëpisë së tij familjare e cila kufizohet me oborrin e të ndjerit, thuhet se me armë të zjarrit ka shtënë një fishek në drejtim të shtëpisë së të ndjerit, i cili ka përfunduar në derën e hyrjes së shtëpisë.

Me këtë, sipas aktit akuzues i njëjti ka shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve dhe dëm pasuror andaj akuzohet se ka kryer veprën penale ‘shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ nga neni 356 paragrafi 1 i KPRK-së.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se më 18 tetor 2021, në Batllavë, në mënyrë mizore dhe me qëllim të përfitimit të dobisë materiale ka privuar nga jeta djalin e xhaxhait të tij, tani të ndjerin G.B., për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake në mes veti, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari me biçikletën e tij kishte shkuar në punë nga fshati Gërdofv në fshatin Batllavë, i pandehuri me veturën e tij të markës ‘Kombi VW’, e kishte goditur në anën e djathtë të veturës dhe e kishte gjuajtur në tokë.

Në vazhdim thuhet se pas diku 20 m i akuzuari e kishte ndaluar veturën dhe është kthyer deri tek i dëmtuari i cili pas goditjes ka përfunduar në kanal të thellë rreth 5 m, i është ofruar dhe më pas e kishte goditur me armë zjarri në kokë dy herë.

Me këtë, Brahimi po akuzohet se ka kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’.

Ndërsa, sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Brahimi akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 18 tetor 2021 në posedim të tij të kundërligjshëm dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për armë, ka mbajtur një armë zjarri – pistoletë të markës ‘Bareta cal. 7.65’, me të cilën i akuzuari ka kryer veprat penale ndërsa të cilin me një karitatorë të zbarët i akuzuari e kishte dorëzuar në polici pas kryerjes së veprës penale kur edhe është dorëzuar vet. Me këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së. /Shqip.com

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë teskt cilësohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata