Lajme Ballkan

Gjuriq: Kosova injoroi Blinken-in, bëri veprim të pafalshëm

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq

Vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e Referendumit serb në Kosovë, ambasadori i Serbisë në Uashington, Marko Gjuriq, e ka quajtur “të pafalshëm”.

“Përveç se zhgënjyes ishte edhe vendim i pafalshëm”, ka thënë Gjuriq, ish-drejtor i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, raportojnë mediat serbe.

“Në një sulm të paprecent të demokracisë, Kosova ka vendosur të injorojë kërkesën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken brenda më pak se një jave”, deklaroi Gjuriq, duke e lexuar letrën që sekretari amerikan i shtetit ia dërgoi kryeministrit, Albin Kurti, si kërkesë e tij për lejim të referendumit.

Letra e Blinken per Kurtin

Serbia ka mbajtur Referendum për ndryshime kushtetuese atje, por qëllim kishte vendvotime të organizonte edhe në Kosovë.

Qeveria, presidenca dhe kryeparlamentari dolën kundër, paçka se ambasadorët e shteteve më të fuqishme perëndimore, kërkuan nga Kosova ta lejojë referendumin.

Nën argumentin se shkelet sovraniteti i shtetit nëse lejohet, krerët shtetërorë të Kosovës refuzuan këshillën e ndërkombëtarëve.

Për më tepër, u mbajt një seancë parlamentare ku u nxor edhe një rezolutë që ndalonte këtë referendum dhe autorizonte qeverinë që të marrë të gjitha masat për ta parandaluar.

Pro vendimit të qeverisë për moslejimin e referendumit kanë qenë edhe të gjitha partitë opozitare në Kosovë./Shqip.com