Lajme Ballkan

Gjuriq: Ka kaluar koha kur shqiptarët ishin të vetmit që lobonin në Uashington

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq
Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq

Ambasadori serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, thotë se “ka kaluar koha kur shqiptarët ishin të vetmit që lobonin në Uashington”, transmeton Shqip.com.

Gjuriq tha për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, se ndikimi amerikan në Evropë është jashtëzakonisht i madh, veçanërisht në vendet kyçe për zgjerimin e BE-së, raporton ‘Kosovo Online’.

Kështu u përgjigj ai kur u pyet për rëndësinë e letrës dërguar presidentit amerikan, Joe Biden, nga shtatë anëtarë të Kongresit për të dyfishuar vëmendjen e Amerikës ndaj tensioneve Kosovë-Serbi me ç’rast shtoi se nuk do ta nënvlerësonte rëndësinë e ndonjë letre të kongresmenëve.

Letra e shtatë anëtarëve të Kongresit për Presidentin Joe Biden dhe Sekretarin Antony Blinken për dyfishim të vëmendjes në tensionin Kosovë-Serbi

Sipas tij, grupi serb i lobimit në Shtetet e Bashkuara ka më shumë se 30 anëtarë dhe se siç tha ai “numri i atyre që e kuptojnë qëndrimin e Serbisë për Kosovën dhe nevojën për të arritur një zgjidhje kompromisi që nënkupton kënaqjen e interesave të të dyja palëve, po rritet çdo ditë”.

Më tutje, Gjuriq tha se është shumë e rëndësishme për Serbinë që integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor të jetë një nga prioritetet e politikës amerikane.

Duke komentuar një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, për të mirëpritur mesazhin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor se dera e BE -së mbetet e hapur, i dërguari i Serbisë në Amerikë theksoi se edhe presidenti i SHBA-së Joe Biden kishte folur kohët e fundit për këtë pas bisedimeve me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Layen.

“Gjithashtu, i dërguari amerikan për rajonin tonë, Gabriel Escobar, i cili bëri një punë të madhe për Serbinë duke takuar përfaqësuesit e saj dy ditë pas emërimit të tij, foli për mbështetjen e integrimit evropian si një nga prioritetet e politikës amerikane ndaj rajonit tonë. Kjo është komplementare për interesat tona, me politikën tonë “, tha Gjuriq. /Shqip.com