Gjuriq e quan Von Cramonin “politikanja më e papërgjegjshme gjermane”
![Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq](https://shqip.com/app/uploads/2021/07/Marko-Gjuriq.jpeg)
Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, ka reaguar ndaj deklaratës së raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, lidhur me aksionin e djeshëm antikontrabandë nga Policia e Kosovës në katër rajone të vendit, përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut, njofton Shqip.com.
Gjuriq në një postim në Twitter, e ka quajtur Von Cramon si politikanen më të papërgjegjshme gjermane.
“Ju duhet të jeni politikanja më e papërgjegjshme gjermane. Besimi se për t’u futur në zonat me shumicë serbe me armë nën pretendimin e rremë të zbatimit të një ndalimi të çmendur mbi barnat dhe mallrat serbe katër ditë para zgjedhjeve përmes një operacioni policor është ose naiv, ose keqdashës.”, tha ai në postimin e tij.
“Një njeri i pafajshëm është qëlluar në shpinë dje, një zonjë e vjetër ka vdekur si rezultat i asaj që ju e përshkruani si një ‘aksion policor’. Ju duhet të keni turp për veten”, shtoi më tej Gjuriq.
1/2
— Марко Ђурић (@markodjuric) October 14, 2021
You must be the most irresponsible German politican.
The belief that storming Serb majority areas with assault rifles under a false pretense of enforcing a crazy ban on Serbian pharmaceutical or food products four days before an election is a normal police operation is… https://t.co/kw8Ok8Ss7Q
Von Cramon në reagimin e saj për situatën e krijuar të mërkurën në veri, ka kritikuar përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, i cili i ka quajtur “të papranueshme” veprimet e “njëanshme dhe të pakoordinuara” të policisë në veri.
Von Cramon i ka kërkuar Borrellit që të kritikohen shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet dhe të përkrahen ato ku luftohet krimi i organizuar e korrupsioni.
“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë”, tha ajo.
![](https://shqip.com/app/uploads/2021/06/viola-cramon-1024x1024.jpg)
Të mërkurën, më 13 tetor, Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në katër rajone të vendit kundër kontrabandës së mallrave.
10 zyrtarë policorë kanë mbetur të lënduar nga ky aksion, derisa të sulmuar ishin edhe gazetarët. /Shqip.com