Lajme

Gjuha seksiste në aktgjykimin e Gjykatës së Gjilanit, Kurti: Jam i tronditur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

I tronditur është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit ndaj një vajze e cila kishte raportuar se është dhunuar seksualisht.

Betimi në Drejtësi, të shtunën ka publikuar këtë aktgjykim, ku në një formë fajësohet vajza.

“viktima ka pranuar të udhëtojë me taksi me të akuzuarin, përkundër se e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore, dhe Gjkata e cilësoi viktimën si “person me shprehi vërtetë jo të mira sidomos në aspektin moral. Po ashtu, konstatoi se “të jesh në një hapësirë banimi me persona të ri, vetvetiu nënkupton se viktima ka qenë e pajtimit që me ta edhe të lëshohet në aventura seksuale”, citohet të jetë aktgjykimi.

Por, këtë rast Kurti e ka lidhur me reformën në drejtësi, duke thënë se ajo është shumë e nevojshme.

“Rasti i Gjilanit është një dëshmi më shumë se sa e thellë duhet të jetë reforma në sistemin tonë të drejtësisë. Gratë dhe vajzat vazhdojnë të jenë viktima të normave diskriminuese”.

“Gjuha e një aktgjykimi të tillë e një vendimi është e papranueshme dhe jam i tronditur me atë gjuhë që është përdorur”, ka thënë Kurti.

Një mendësi të tillë, kreu i ekzekutivit e ka konsideruar si të papranueshme.

“Duke mos ditur rastin konkretisht, jemi të njoftuar aq me sa mund të lexojmë, atë që kemi lexuar shohim që kemi një gjuhë që vjen nga një mendësi e papranueshme”, tha ai. /Shqip.com