Lajme

Gjoshi nga PDK-ja tregon se çka u diskutua në takim me Osmanin

Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me partitë politike në vend lidhur me procesin zgjedhor që pritet të mbahet në pjesën veriore të vendit.

Si përfaqësues i PDK-së në këta takim konsultativ ishte Betim Gjoshi. Pas takimit me Osmanin, Gjoshi përmes një postimi në rrjetin social ka tregua se për çfarë është diskutuar në atë takim.

“Sot, si përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës, mora pjesë në takimin konsultativ në lidhje me procesin zgjedhor në katër komunat veriore të vendit. Është plotësisht përgjegjësi e institucioneve të Kosovës që të garantojnë funksionimin e institucioneve dhe rendit kushtetues në të gjithë territorin e vendit. Kosova tani më ka ndërtuar një standard të lartë demokratik dhe gjithëpërfshirës të organizimit të zgjedhjeve, në bazë të ligjit, kushtetutës dhe dokumenteve të Republikës tonë në secilin cep të vendit. Rrjedhimisht, ky standard duhet të ruhet dhe të avancohet. Si PDK, ne do të jemi gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar proceset demokratike, të cilat janë në të mirë shtetit, shoqërisë dhe të ardhmes tonë të përbashkët” ka bërë të ditur Gjoshi.

Përmes një konference për media pas takimit, Osmani tha se sipas gjitha gjasave data kur do të mbahen zgjedhjet lokale në veri është 18 dhjetori, por si mundësi është edhe data 11 dhjetor.

/Shqip.com