Lajme

Gjoshi: Kryeministër kërko falje për Astrit Deharin

Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka kërkuar nga Kryeministri Kurti që të kërkojë falje për rastin e Astrit Deharit.

Sipas Gjoshit, Albin Kurti nuk po e përmend Astrit Deharin sepse fundi i tij tragjik nuk i duhet më për të përdorur politikisht.

‘’Sot jemi në ditën e tretë pas publikimit të ekspertizës zvicerane, sipas së cilës “objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin s’tregojnë tjetër ADN, përveç të atij”, por Kurti që flet në Kuvend për filtera, bojlera, turbina e lopata, nuk po thotë asnjë fjalë për Astritin, të cilin kur e përdorke politikisht thoshte se na ndriçon me jetën dhe punën e tij.’’ ka shkruar Gjoshi.

Gjoshi thotë se në kohën kur u kërkua ekspertiza Kurti ishte në opozitë ndërsa tashmë është Kryeministër.

‘’Albin Kurti ka qenë në opozitë kur u kërkua ekspertiza në mjekësinë ligjore zvicerane, ndërsa tani që erdhi përgjigjja, ai është Kryeministër. Por, atij i duket një ngjarje e kot. Nuk ka asnjë koment. Pse ai po sillet kështu ka përgjigje’’ ka thënë Gjoshi.

Sot, Kurti nuk është opozitar. Atij nuk i duhet më Astriti. Nuk i shërben për asnjë betejë. Prandaj, çdo gjë për dhe rreth tij, është ngjarje e kot ka shtuar Gjoshi./Shqip.com