Lajme

Gjobitet kompania “Trepça”, nuk i pagoi 60 praktikantë

Kombinati Metalurgjik "Trepça"
Kombinati Metalurgjik "Trepça"

Këtë të martë, Inspektorati i Punës ia ka shqiptuar masën ndëshkimore prej një mijë euro kompanisë “Trepça” për mospagesën e 60 praktikantëve.

Ky është vendimi i dytë që i shqipton gjobë “Trepçës” pasi herën e parë më 2023 kur Inspektorati e kishte gjobitur “Trepçën”, kjo e fundit kishte ushtruar ankesë dhe ishte bërë edhe një riinspektim.

“Inspektorati i Punës si organ i shkallës së parë, anulon dhe rivendos vendimin 02V-50/23/1607 të datës 01.11.2023 dhe më 05.03.2024 nxjerrë këtë Vendim për shqiptimin e masës ndëshkimore”, thuhet në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Bazuar në nenin 4 të Ligjit për Inspektoratin e Punës ankesa ndaj vendimit nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Më 2 prill 2023, në Inspektorat kishte ushtruar ankesë praktikanti i grupit, Arsim Musa kundër kompanisë “Trepça”. Pas kësaj, Inspektorati më 12 maj 2023 ka gjetur se

kompania nuk i kishte paguar praktikantët për punët që kishin kryer gjatë praktikës.

Inspektorati i kishte dhënë kohë tri ditë “Trepçës” të përmirësonte lëshimet që nuk janë përmirësuar as tash.Sipas gjetjeve të Inspektoratit, më 25 maj 2022 kishte publikuar konkursin për praktikantë.

“Mirëpo, pas pranimit të praktikantëve subjekti juridik “Trepça” nuk ka zbatuar detyrimet të cilat janë përcaktuar për aplikim sipas konkursit  dhe ka cenuar të drejtat e tyre si në aspektin e marrëdhënies së punës po ashtu edhe në aspektin e sigurisë  dhe shëndetit në punë…”, thuhet në vendimin e Inspektoratit që vepron në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

/Shqip.com