Lajme

GJKKO sekuestron apartamentin e ish-kryebashkiakut Tushe në Vlorë, e kishte fshehur në emër tjetër

Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK, ka sekuestruar apartamentin që ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe zotëronte në Lungomare të Vlorës.

Në njoftimin për mediet, SPAK bën me dije se po kryen hetime në kuadër të procedimit për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në ngarkim të shtetasit Fatos Tushe, me detyrë ish-Kryetar i Bashkisë Lushnjë.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur pranimin e kërkesës së SPAK dhe sekuestrimin e apartamenti me sipërfaqe 75.3 m2 që Tushe ka në Lungomare të Vlorës.

“Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria Nr. 40/267/4+1-21, Z.K 8602, lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 75.3 m2, me vendndodhje në Lungomare, Vlorë”, thekson SPAK.

Hetuesit Financiarë dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë marrë masat për ekzekutimin e Urdhërit të Prokurorisë së Posaçme datë 04.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, personi nën hetim Fatos Tushe, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Bashkisë Lushnje, nuk ka deklaruar apartamentin në Lungomare Vlorë, pasuri e cila është e regjistruar në emrin e një kompanie që operon në fushën e ndërtimeve, por që posedohet nga personi nën hetim.

SPAK thekson se “nga ana jonë vijojnë veprimet proceduriale për vërtetimin e akuzës në hetim”.

/Shqip.com