Lajme

GJKKO dënon me 1 vit burg ish-kryetarin e bashkisë Fushë Arrëz

TIRANËNumri i ish-kryebashkiakëve të marrë nën hetim apo edhe të kyçur në qeli nga SPAK, është jo i vogël. Sot ishte radha e ish-kryebashkiakut të Fushë Arrëzit, Fran Tuci që të njihej me vendimin e GJKKO, e cila e dënoi atë me 1 vit e 6 muaj burg.

Akuza ndaj Tucit ishte ajo e shpërdorimit të detyrës.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i ulet në 1 vit burg. GjKKO ka dhënë edhe dënim plotësues për Tucin. Për 5 vite ai nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike.

Sipas SPAK, Tuci së bashku me ish-kreun e Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku kanë dëmtuar një sipërfaqe të madhe pyjore duke hapur një segment të ri rrugor në kundërshtim me ligjin.

Punimet e kryera nga administrator i një subjekti privat gjithashtu ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor.

Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e 234,007,500 lekë.

Kryebashkiakët në SPAK dhe GJKKO
Sakaq, GJKKO ka dënuar më herët edhe ish-kryetarin e bashkisë Lushnje, Fatos Tushe me 2 vite dhe 4 muaj burg për shkelje të barazisë në tendera. Po për shkelje të barazisë në tendera ndodhet pas hekurave me urdhër të SPAK edhe ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla. Ai është në pritje të dënimit nga gjykata e posaçme.

Safet Gjici iu shtua listës së kryebashkiakëve me probleme të theksuara me ligjin. Pas publikimit të videoskandalit erotik në zyrën e tij, në muajin qershor të këtij viti, ai u prangos me urdhër të SPAK dhe është vënë nën akuzë për korrupsion e shpërdorim detyre.

Me masë arresti në burg ndodhet edhe ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako se ka lejuar ndërtimin e një shtese prej 4 katesh në një pallat me leje vetëm për 7 kate.

/Shqip.com