Lajme

Gjini nis mandatin e dytë si kryetar i Gjakovës

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, zotohet edhe për një mandat të ri në krye të komunës

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka dhënë betimin për të nisur zyrtarisht mandatin e dytë në krye të kësaj komune, transmeton Shqip.com.

Së bashku me Gjinin, u betuan edhe këshilltarët e rinj komunalë.

Gjatë fjalës së tij pas betimit, Gjini u zotua që do të vazhdojë punët e mira për qytetarët e Gjakovës, por për këtë kërkoi edhe bashkëpunimin e të gjitha partive të përfaqësuara në Asamblenë Komunale.

“Jam gati të vazhdojmë punën edhe më të mirë për komunën tonë, do të nevojitet mbështetja e secilit prej jush, nuk ka kryetar komune qe mundet t’i kryejë të gjitha punët e veta nëse nuk e ka edhe mbështetjen e njerëzve të zgjedhur të Komunës”, ka thënë Gjini, raporton KP.

Ai më tej tha se Komuna që e udhëheqë, përkundër sfidave, ka arritur “suksese të jashtëzakonshme”.

“Katër vitet që i kemi lënë pas kanë qenë më sfida, sfidat të cilat i dimë ne të gjithë, të cilat i dini ju. Një prej sfidave me të mëdha ka qenë pandemia edhe sot jemi pothuajse të gjithë me maska”, tha Gjni.

“Mirëpo përkundër problemeve, përkundër sfidave edhe përkundër asaj që mundet me u quajt si ngatërresë në sistemin qeverisës prape se prape Komuna e Gjakovës ka shënuar suksese të jashtëzakonshme. Sukseset e Komunës njihen gjithandej dhe unë jam i bindur që do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm”, u shpreh më tej ai.

Gjini arriti të marrë edhe një mandat të ri si kryetar i Gjakovës, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale ku përballë kishte kandidaten e Lëvizjes Vetëvendose, Mimoza Kusari-Lila. /Shqip.com