Lajme

Gjini e quan gabim vendosjen e shenjës ku ndalohet bartja e shamisë në një shkollë në Gjakovë

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini e ka quajtur veprim të gabueshëm  vendosjen e shenjës për ndalimin e mbulesës në shkollën “Nexhmedin Nixha”. 

Gjini është takuar me kryetarin e degës së Bashkësisë Islame në Gjakovë, Valon Myrtaj të cilin e ka siguruar se një veprim i tillë nuk do të ndodh më.

Ai ka thënë se ndjeshmëria fetare duhet respektuar.

“Gjakova është shembull i rrallë i bashkëjetesës fetare vëllazërore. Gabimet dhe mosperceptimi i ndjeshmërive nuk mund të ndikojnë te asnjë qytetar i komunës së Gjakovës. Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Gjakovë është institucion jashtëzakonisht i respektuar dhe në mënyrën më të mirë të mundshme i përfaqëson ndjenjat e besimtarëve myslimanë të komunës sonë. Jemi dakorduar që gabime të tilla si ai dje nuk bën të ndodhin në të ardhmen”, ka thënë ai.

Ndryshe edhe Bashkësia Islame e Kosovës ka dënuar vendosjen e shenjës së ndalimit të mbulesës. Ata konsiderojnë se veprimi i tillë ka cenuar të drejtën e lirisë së besimit. /Shqip.com