Lajme

Gjilan / 16-vjeçarja akuzon profesorin se e ngacmoi seksualisht

Fotografia ilustruese
Fotografia ilustruese

Një 16 vjeçare po dyshohet se është ngacmuar seksualisht nga profesori i saj, rasti ka shkuar deri në Polici, por Prokuroria e ka ndalur aty për shkak se po kërkon prova shtesë.

Në vazhdim Dukagjini sjell në detaje rrëfimin e 16-vjeçares dhe babait të saj, i cili shprehet i shqetësuar me mosreagimin e institucioneve.

Është një mjedis shkollor dhe llogaritet ndër vendet më të sigurta për fëmijët pas shtëpisë së tyre.

Por, për një 16 vjeçare hapësira e shkollës, klasa e saj janë kthyer në makth muajin e fundit.

Ajo po dyshohet të jetë ngacmuar seksualisht nga profesori i saj i ekonomisë, në shkollën e arteve në Gjilan pikërisht gjatë orës së mësimit.

Vet viktima ka pranuar të rrëfej rastin për televizionin, në kushte anonimiteti.

“Profa erdh në klasë edhe tha po bëjmë pak muhabet me ju kënaq”.

Në rastin e ditës së të dashuruarve profa na u ka drejtu, a ju keni ble najsend frajerave, unë ja kom kthy unë skom, përvec nanës tem, nuk kam mi ble kërkujt. Edhe profa n aspektin e ndihmës kishe, më ka thanë shko në Gilan qytet, është një dyqan anën e djathtë, ki rroba të brendshme mundesh me i marr ngjyrë të kuqe ose të zeza, unë gruas tem ja kam marr të kuqe. Edhe unë vec e lëshova fletën që e pata në dorë, ndër bankë, u shokova e ai vazhdoi ose mundesh me ja çu atë që  e pate në dorë, se gruja jem e ka, ja kom dhanë. Na u bonëm gati me dalë, se tha muni me dalë, kur tha ju të 4-ta rrini këtu, edhe më tha keni me pa ndëshkimin në nota që kom me jau bo që spo leni me ju kënaq juve”, ka thënë nxënësja që ka denoncuar ngacmimin seksual.

Fotografia ilustruese

Për 16 vjeçaren kjo nuk është hera e parë që ndeshet me një situatë të tillë nga i njëjti profesor me inicialet K.Q. 

“Për trupin tem, vijat shumë të mira të trupit, je shumë e bukur, kur të rritesh mundesh me u bo modele, vec vazhdo kështu. Edhe nëpër korridore, e kom pasë telefonin mbrapa normal në xhep, dhe shumë herë ka ardhë më ka thanë heke telefonin pr…”, shtoi ajo.

E ai që e kishte ftuar policinë ishte vetë drejtori i shkollës Roland Masurica, që aktualisht ka marr vendim që ai profesor mos të ligjërojë më në klasën ku vijon mësimin 16 vjeçarja.

“E kanë raportu një rast si ngacmim, mirpo unë kam kërku gjithcka që po rrëfejnë ato me e shpërfaq në të shkruar, dhe me t’i shqyrtu ato dëshmi fizike me Këshillin e Shkollës, për shkak të peshës së rastit, unë pa humbur kohë i kam njoftuar policinë dhe drejtorinë e arsimit, këta janë në dijeni, rasti është në polici”, tha Roland Masurica Drejtor i Shkollës së Arteve.

Fotografia ilustruese

Policia me të arritur në shkollë, kishte shoqëruar nxënësen në stacion, ku e kishte marr në pyetje për gati 4 orë pa prezencën e prindërve por të një punëtori social.

“Kom pas pyetje të shumta, pse e ke bo kush të ka nxit me bo, me e raportu”, u shpreh nxënësja.

Ky rast e ka tronditur shumë babanë e 16 vjeçares që ka rastisur të jetë në Gjermani dhe me të marr lajmin ka ardhur në Kosovë, për tu shkuar derë më derë institucioneve.

“Drejtoresha e arsimit kategorike, lena rastin neve, se nuk ka tjera vepra profesori, profa so ksi njeri, përgjigja ka qenë na ja ndërrojmë profes klasën nuk shkon më në atë klasë. Me dy policë që kam bisedu më kanë thanë që neve prej prokurorisë na ka ardhë që s është ngacmim seksual por vetëm me e mbajt si shënim zyrtar”, ka thënë babai i 16 vjeçares që është ngacmuar seksualisht, raporton Dukagjini.

Se ky rast është klasifikuar si i tillë, e ka konfirmuar edhe Prokuroria, duke injoruar të gjitha pyetjet tjera për rastin, përfshirë atë se mbi çfarë baze ky rast nuk është hetuar tutje dhe a është intervistuar i dyshuari për këtë rast. 

“Sipas kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, ka udhëzuar Policinë e Kosovës që ky rast në mungesë të provave të mbetet me shënim zyrtar, mirëpo në rast të paraqitjes së ndonjë prove të re materiale rasti do të aktivizohet”, thonë nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

/Shqip.com