Lajme

Gjermania pro liberalizimit të vizave për kosovarët

Presidentja Osmani priti në takim Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur të mërkurën në takim sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger.

Ky i fundit ka deklaruar se Gjermania është në favor të liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës.

“Ai, gjithashtu ka deklaruar se Gjermania do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës në fusha të ndryshme dhe se janë të gatshëm për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimin bilateral mes dy shteteve”, thuhet në njoftimin e Presidencës, përcjell Shqip.com. 

Berger ndër të tjera i ka shprehur ngushëllime Presidentes Osmani për tragjedinë e së dielës në Kroaci.

“Ai e ka vlerësuar pozitive qasjen e institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar zhvillim ekonomik dhe përafrim të Kosovës me BE-në”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, Presidentja Osmani ka theksuar se janë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se “nuk ka arsye për të vonuar edhe më tutje këtë process”.

Në këtë kontekst, Presidentja ka theksuar nevojën e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet dy shteteve, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, diplomatik e kulturor.

Osmani po ashtu ka shprehur falënderimin e saj për Gjermaninë për përkrahjen e vazhdueshme që i ka ofruar Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, duke potencuar se ky shtet mbetet një nga partnerët më të besueshëm të vendit tonë.

Ndër të tjera, e para e shtetit ka theksuar se sundimi i ligjit është parakusht për zhvillim të mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës, “dhe e afron vendin tonë më afër Bashkimit Evropian”.

“Sa i përket procesit të dialogut, Presidentja Osmani theksoi se prioritet për Republikën e Kosovës duhet të jetë zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë si dhe përmbyllja e procesit me njohje reciproke. Ajo po ashtu potencoi se forcimi i aleancave me shtetet mike është i domosdoshëm për suksesin e vendit tone”, përfundon njoftimi./SHQIP.com