Lajme Botë

FOTO / Gjermania në “kthetrat” e borës dhe ngricës

Bavaria është përfshirë nga ngrica
Bavaria është përfshirë nga ngrica

Reshje të dendura bore dhe ngricat ekstreme kanë përfshirë disa rajone të Gjermanisë. Më të prekura janë zonat në Gjermaninë qendrore dhe jugore. Në aeroportin e Frankfurtit janë anuluar fluturimet.

Rrugë e shtigje të mbuluara me shtresë akulli në jugperëndim të Gjermanisë nga shiu i ngrirë dhe reshjet e borës janë kthyer në pista të rrezikshme rëshqitjeje për kalimtarët dhe automjetet. Shërbimi sinoptik i Gjermanisë ka njoftuar qysh të martën (16.01.2024) pasdite për rrezikun e motit ekstrem kryesisht në landet qendrore dhe jugperndimore Renani-Palatinate, Hesen, Landi Zarës, Saksoni, Tyringji si dhe në Baden-Vyrtenberg dhe Bavari e pjesërisht edhe në Renaninë Veriore-Vestfali. Sipas meteorologëve gjatë gjithë ditës së mërkurë (17.01.2024) deri të enjten paradite duhen shmangur daljet e panevojshme në rrugë, për të evituar rreziqet.

Një shtresë e trashë akulli ka mbuluar rrugët në Frankfurt

Në të gjithë Bavarinë është dhënë sinjali i kuq meteorologjik. Në disa qarqe situata është kritike. Ka segmente të përfshira nga stuhi me reshje ekstreme të borës. Për shkak të motit ekstrem në shumë rajone nëpër shkolla u anulua mësimi në prezencë.

Policia në Baden-Vyrtenberg dhe në Landin e Zarës njofton për aksidente në rrugë, por që kryesisht kanë pasur pasojë dëme materiale. Vetëm në Landin e Zarës janë regjistruar mbi 80 aksidente.

Gjermani: Imazh nga një park në Këln – Vështirësi qarkullimi, por edhe idil natyror

Këmbësorët ecin me kujdes nëpër rrugët me akull

Edhe rajoni jugor i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë është përfshirë nga moti ekstrem. Shkollat në rajoninet e Ahenit, Këlnit, Olpes dhe Vinterbergut qendruan të mbyllura. Në landin e Hesenit po ashtu në shumë shkolla nuk ka pasur mësim në prezencë.

Frankfurt mbi Main: Një avion i kompanisë Lufthansa duke u pastruar prej akullit para nisjes

Avionët qendrojnë në tokë në aeroportin e Frankfurtit

Në aeroportin më të madh të Gjermanisë, Frankfurt mbi Main, sipas të dhënave të menaxheusit Fraport u anuluan gati 600 nga 1047 fluturime të planifikuara. Aeroplanët nuk mund të çliroheshin me siguri të plotë prej akullit, tha një zëdhënës. U anuluan edhe një sërë ulje avionësh në pistat e aeroportit.

Në aeroportin e Mynihut u anuluan 254 nga 650 fluturime dhe mbërritje avionësh të planifikuara. Në aeroportin e Sarbrykenit u pezulluan të gjitha fluturimet. Ndërsa në Berlin ka pasur pezullime të pjesshme.

Zarbryken: Këmbësorët ecin me kujdes nëpër rrugët me akull

Udhëtarët u detyruan të përdorin trenat. Për shkak të vështirësive atmosferike trenat e shpejtësisë së lartë ICE u lejuan të qarkullojnë me shpejtësi maksimale deri në 200 km në orë. Megjithatë shumë trena ICE në linjat Shtutgart apo Frankfurt drejt Parisit  nuk u lejuan të qarkullojnë.

Punonjësit e mirëmbajtjes duke hapur shinat e trenit nga bora

Shi i ngrirë edhe në Francë

Dimri ka mbërthyer me borë e ngrica edhe rajonet e Francës përgjatë kufirit me Gjermaninë. Në Alzasë dhe Lorenë ka pasur aksidente në qarkullimin rrugor. Për kamionët është i ndaluar qarkullimi në akset kryesore. Në pjesën veriore të Francës për Departamentin 31 është dhënë paralajmërim për mot ekstrem. Në zona të caktuara pritet borë deri në 20 cm si dhe kushte të vështira për qarkullimin rrugor. /DW

/Shqip.com