Gjermania do të dërgojë 155 ushtarë shtesë në Kosovë
Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë ka njoftuar se do të dërgojë më shumë ushtarë në Kosovë në kuadër të forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO-ja (KFOR).
“Mund të konfirmoj se qeveria federale (gjermane) ka vendosur të zgjerojë angazhimin e saj në KFOR nga prilli i vitit 2024, pavarësisht ngjarjeve të fundit në Kosovë”, tha në një konferencë për media Mitko Mueller, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, transmeton AA.
Mueller u referohej tensioneve të rritura në veri të Kosovës pasi një polic kosovar dhe katër persona nga një grup i serbëve të armatosur më 24 shtator u vranë gjatë një përleshje në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
Në këtë zonë u dërguan një numër i madh i forcave të sigurisë, ndërsa pikëkalimi kufitar Bërnjak midis Kosovës dhe Serbisë u mbyll.Veriu i Kosovës ka qenë skenë e trazirave që nga muaji prill kur serbët lokal bojkotuan zgjedhjet në veri të vendit, pas çka shpërthyen protesta kundër zgjedhjes së shqiptarëve në krye të komunave.
Siç tha Mueller, kontingjenti i ri i ushtarëve do të zëvendësojë forcat austriake të KFOR-it dhe do të trajnohen për t’u përballur me trazirat.
/Shqip.com