Sport Shqiptar

Gjeorgjia eliminon Greqinë dhe shkon për herë të parë në Europian – kualifikohen edhe Polonia me Ukrainën

Faza finale e Euro 2024 është kompletuar edhe me tre skuadrat e radhës. Gjeorgjia, Ukraina dhe Polonia kanë marrë një biletë për në fazën finale të Euro 2024 që zhvillohet nga 14 qershori – 14 korrik në Gjermani.

Në play-off, Gjeorgjia kaloi Greqinë në një sfidë që zgjati 120 minuta dhe fituesi u vendos me penallti, ku fati i buzëqeshi vendasve (4-2).

Festë e madhe në stadiumin e Tbilisit pasi Gjeorgjia për herë të parë merr pjesë në një turne madhor Europiani ose Botërori. Tanimë skuadra ku bën pjesë ylli i Napolit, Kvaratskhelia, do jetë në grupin F së bashku me Turqinë, Portugalinë dhe Çekinë.

Ndërkohë Ukraina përmbysi 2-1 Islandën. Tsygankov dhe Mudryk zhvlerësuan golin e Gudmundsson. Ukrainasit do jenë në grupin E me Belgjikën, Sllovakinë dhe Rumaninë.

Edhe ndeshja tjetër ajo mes Uellsit dhe Polonisë iu drejtua shtesave. 120 minuta lojë nuk prodhuan rezultat, ndërsa akti final ishte i penalltive.

Polakët janë më të saktë dhe rrëmbejnë biletën e Euro2024. Kujtojmë që Polonia ishte në një njëjtin grup me Shqipërinë në eliminatore dhe u renditën të tretët.

Në Europianin e Gjermanisë, Polonia shkon në grupin D ku gjen Francën, Holandën dhe Austrinë.

/Shqip.com