Gjendja në veri, AAK kërkon seancë të jashtëzakonshme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për shkak të situatës në Veriun e Kosovës.
Këtë e ka kumtuar përmes një postimi në Facebook, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Menjëherë do të kërkojmë nënshkrimet për thirrjen e kësaj seancë”, ka shkruar ai në Facebook.
Njësitet e KFOR-it, kanë shkuar të hënën në zonën neutrale mes Kosovës dhe Serbisë në veri të vendit.
“Unë nuk kam informacion të tillë për përgatitje të ndërhyrjes së KFOR-it në veri”.
Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës së përbashkët me kreun e ekzekutivit shqiptar, Edi Ramën, të hënën.
“Sot kam pritur në takim komandantin e KFOR-it dhe bashkë me ministrin e brendshëm, Xhelal Svecla jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Shtoi se “Njësia Speciale nuk është në Bërnjakë dhe Jarnije në mënyrë që t’i gëzohemi kësaj situate, ata janë aty me detyrë që ti mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitarë” ka thënë Kurti”.
Sot ka shënuar dita e tetë që kur Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak – për ta zbatuar reciprocitetin në targa.
“Njësia Speciale nuk ndodhet aty për të demonstruar forcë, por për të mbrojtur pikat kufitare. Ky është qëllimi i vetëm i Policisë”, ka thënë Kurti gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama. /Shqip.com