Lajme

Gjendja e rënduar me COVID-19, Krasniqi: Po detyrohemi që të organizojmë shtretër shtesë

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi

Që prej fillimit të pandemisë, në këto ditë Kosova është duke u përballur me numrin më të madh të të infektuarve, njofton Shqip.com.

Kapacitetet e klinikave që trajtojnë rastet me COVID-19 janë drejt përfundimit, teksa disa shërbime në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë pezulluar dhe sfidë mbetet sigurimi i shtretërve të lirë.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka bërë thirrje për vaksinim pasi shumë prej pacientëve që janë duke u trajtuar janë të pavaksinuar.

Ai ka thënë se gjendja është shumë e rënduar, teksa flet për riorganizimin e klinikave.

“Gjendja është mjaft e rënduar sa i përket numrit të madh të pacientëve që po kërkojnë spitalizim. Kemi 1,139 pacientë që po marrin shërbime spitalore në shtatë spitalet e përgjithshme dhe në klinikat e QKUK-së. Dhe ky numër ka tejkaluar tashmë numrin prej 1010 pacientëve që kemi pasur në pikun e pandemisë gjatë fund-muajit nëntor të vitit të kaluar. Po detyrohemi që të organizojmë shtretër shtesë, për të shtuar këto kapacitete. Pra, të riorganizojmë në tërësi të gjitha klinikat e QKUK-së dhe gjithë stafin shëndetësor të cilët janë në trajtimin e këtyre pacientëve”, ka thënë ai për KP.

Krasniqi ka njoftar se nuk qëndrojnë mirë lidhur me numrin e mjaftueshëm të shtretërve, por që kanë kapacitete s ai përket medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore.

“Neve na vjen keq që jemi të shtrënguar dhe duhet të pezullojmë disa shërbime, siç janë: shërbimet kirurgjike të natyrave jo emergjente, po ashtu kemi reduktuar edhe shërbimet specialistike ambulantore, diku rreth 50 për qind. Kërkojmë nga qytetarët mirëkuptim, për faktin se jemi të detyruar të shfrytëzojmë shtretërit për pacientët me COVID dhe të prioritizojmë sëmundjet të cilat janë të natyrës urgjente”, deklaroi Krasniqi

Sipas tij, shkaqet që ndikuan në rritjen e rasteve kanë qenë relaksimi i tërësishëm i të gjithëve, si ahengjet, dasmat, lokalet, klubet e natës.

“Lirimi i masave gjatë tre muajve të kaluar, relaksimi i tërësishëm i të gjithë neve pa përjashtim, ahengjet, dasmat, lokalet, klubet e natës, ardhja e diasporës, shkuarja e qytetarëve të Kosovës jashtë Kosovës, të gjitha këto kanë ndikuar”, theksoi ai.

Krasniqi flet edhe për mundësinë apo jo të infektimit gjatë vaksinimit.

“Të gjitha të dhënat e deritanishme ekzistuese të bazuara në shkencë, jo vetëm për COVID-in, por pothuajse asnjë vaksinë nga viruset e vdekur apo të mbytur që nuk prodhohen nga viruset e gjallë nuk mund të infektojë njeriun me atë virus. Pra, edhe vaksina Astra-Zeneca dhe Pfizer të dy llojet që përdoren te ne, nuk janë vaksina që prodhohen nga viruset e gjalla, andaj edhe nuk ka mundësi që njeriu të infektohet gjatë vaksinimit. Është e pritshme dhe njeriu mund të infektohet disa ditë para vaksinimit, qoftë edhe disa ditë pas vaksinimit pasi që e dini që vaksina prodhon krijimin e antitrupave dhe organizimit i duhen 7 ditë apo 14 ditë për krijimin e antitrupave”, sqaron Krasniqi.

Ndryshe, të premten janë shënuar 16 raste të vdekjes dhe dy mijë e 98 raste pozitive me COVID-19. /Shqip.com