Lajme

Gjendet i vdekur një fëmijë 12 vjeçar në Vushtrri, policia jep detaje

Policia e Kosovës
Policia e Kosovës

Një fëmijë 12 vjeçar është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Vushtrri.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti ka thënë për Shqip.com se ngjarja ka ndodhur gjatë ditës në ora 14:00.

“Vdekje dyshimtë. Sot, rreth orës 14:00, nga ana e familjarëve është raportuar se në shtëpinë e tij në fshatin Bequk të Vushtrrisë, është gjetur pa shenja jete viktima fëmija i moshës 12  vjeçar”, ka thënë Zahiti.

Ai gjithashtu ka deklaruar se njësitë relevante policore dhe ekipet mjekësore kanë dalë në vendin e ngjarjes.

 “Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion”, ka thënë Zahiti.

Ndërsa Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Liria” në Strofc të Vushtrrisë, ku 12 vjeçari vijonte mësimet, e ka përshkruar të ndjerën si nxënës të mirë, të hareshëm dhe përplot jetë.

“Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, ju njoftojmë se sot u nda nga jeta një engjëll i shkollës sonë. F. M. ishte nxënës i klasës VI. Ai ishte një nxënës i mirë, i hareshëm dhe përplot jetë. Ngushëllime familjes, farefisit, nxënësve dhe mësimdhënësve për këtë ndarje të dhimbshme e të papritur! U prehsh në paqe, i dashur F.”, thuhet në njoftimin e shkollës./Shqip.com