Lajme Botë

Gjenden dokumente konfidenciale në shtëpinë e ish-zëvendëspresidentit Pence

Dosjet sekrete janë gjetur në shtëpinë e ish-zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence.

Dokumentet e zbuluara nga një avokat javën e kaluar në shtëpinë e Pence në Indiana, i janë dorëzuar FBI-së.

Përfaqësuesit e Pence dërguan një letër në Arkivat Kombëtare duke i njoftuar ata për dokumentet.

FBI erdhi në shtëpinë e ish-zëvendëspresidentit për të mbledhur dokumentet, duke anashkaluar “procedurat standarde” dhe duke kërkuar “zotërim të drejtpërdrejtë” të tyre, shtuan avokatët në një letër të veçantë.

Sipas Aktit të Rekordeve Presidenciale, të dhënat e Shtëpisë së Bardhë supozohet të shkojnë në Arkivat Kombëtare sapo të përfundojë një administratë. Rregullat kërkojnë që këto dosje të ruhen në mënyrë të sigurtë.

Një “numër i vogël dokumentesh që mbanin shenja të klasifikuara” u “boksuan pa dashje dhe u transportuan” në shtëpinë e Pence në fund të presidencës së Trump, shkroi avokati i tij në një letër të ndarë me mediat amerikane.

Zhvillimi i fundit u shfaq pasi zoti Pence kërkoi ndihmë ligjore nga specialistët në trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.

Ai kërkoi ndihmë “pasi u bë publike se dokumente me shenja të klasifikuara u gjetën në rezidencën Wilmington të presidentit Joe Biden”, lexohet në letër.

Avokatët gjetën “një numër të vogël dokumentesh që mund të përmbajnë potencialisht informacion të ndjeshëm apo të fshehtë”, të cilët qenë mbyllur nga ish-zëvendëspresidenti në një kasafortë.

Një ndihmës i Pence tha për media se dokumentet u magazinuan në kuti në një zonë të pasigurt të shtëpisë së Pence. Ndihmësi tha se ato ishin të mbyllura.

Sipas mediave amerikane, dokumentet besohet të jenë dërguar së pari në shtëpinë e Pence në Virxhinia para se të dërgoheshin më vonë në Indiana, raporton BBC.

Pasi letra u bë publike, Trump erdhi në mbrojtje të Pence, duke thënë se ai është i pafajshëm.

Pence kishte thënë në mënyrë të përsëritur gjatë muajve të fundit se nuk besonte se ishte në posedim të dokumenteve sekrete.

Hetuesit janë duke u merrur edhe me rastin e presidentit Joe Biden dhe ish-presidentit Donald Trup lidhur me gjetjen e dokumenteve konfidenciale në pronat e tyre.

Trump përballet me një hetim penal nën dyshimin për shpërdorim të këtyre dokumenteve.

Kujtojmë se Biden më parë tha se nuk kishte “keqardhje” për mospranimin publik përpara zgjedhjeve të mesmandtme me lajmin se dokumentet sekrete ishin zbuluar në zyrën e tij private.

Gjashtë dosje të tjera të klasifikuara u gjetën gjatë një kërkimi 13-orësh të shtëpisë së Presidentit Biden në Delaware.

Dokumentet e zbuluara deri tani besohet të jenë të lidhura me qëndrimin tetë-vjeçar të Bidenit si zëvendëspresident nën kohën e ish-presidentit Barak Obama.

/Shqip.com