Lajme

Gjashtë tentativa për të hyrë në Britani, i riu nga Kukësi: Do ta provoj prapë!

Pas gjashtë tentativave të dështuara për të emigruar në Britani të Madhe, 28-vjeçari V.H, po përpiqet të mbajë gjallë biznesin e tij të vogël në Kukës, të cilin e hapi pasi nuk kishte alternativë tjetër për të mbijetuar.

Por ky, megjithatë, i duket një mision i vështirë, pasi gjendja ekonomike në Shqipëri është rënduar.

V.H. thotë se fitimet nga biznesi i tij janë të pamjaftueshme.

Ai ka provuar të gjitha ato herë të largohet ilegalisht nga Shqipëria me gomone, përmes Kanalit të La Manshit apo Kanalit Anglez, drejt Britanisë.

Pavarësisht tmerrit që thotë se ka kaluar, sërish do të ishte i gatshëm ta bënte rrugën e njëjtë, në formën e njëjtë.

“Sapo u liruan masat anti-COVID, emigrova sërish. Ishte e pamundur të mbaje familjen me një pagë shteti 36 mijë lekë [rreth 310 euro] në muaj. Ika në Francë, ku çdo ditë dëgjoja nga miqtë e mi se në Britani është më e lehtë të gjesh një punë dhe paguhet më mirë. Nuk e mendova gjatë, por provova të ikja me dokumente të falsifikuara si shtetas greK. Sigurisht që u kapa nga policia dhe më kthyen mbrapsht në Shqipëri”, tregon V.H. dhe shton se kësaj here e kishte të pamundur të qëndronte gjatë në Shqipëri, pasi kishte humbur edhe punën.

Dy muaj më parë, Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar “Home Office” ka nisur të aplikojë një qasje të re ndaj emigrantëve shqiptarë që mbërrijnë me gomone.

Në të shkuarën, mbi 8.000 shqiptarë që kanë mbërritur me gomone në periudhën qershor-shtator 2022, u është dhënë e drejta e azil kërkimit.

Pas mbajtjes në qendra ndalimi, shqiptarët çoheshin në hotele ose të afërmit hynin garant për të qenë të lirë, me kusht nën rregullat e ligjit të azilantëve.

Më shumë se 40 mijë emigrantë kanë kaluar ilegalisht që nga fillimi i vitit Kanalin e La Manshit që ndan Britaninë e Madhe nga Franca, raporton Radio Evropa e Lirë.

/Shqip.com