Lajme Botë

Gjashtë të vdekur nga një sulm me thikë në një kopsht fëmijësh në Kinë

Gjashtë persona, përfshirë tre fëmijë, janë vrarë në një sulm me thikë në një kopsht fëmijësh në provincën juglindore Guangdong të Kinës.

Një person ka mbetur i plagosur gjithashtu.

Policia tha se ka arrestuar një 25-vjeçar me mbiemrin Wu në qytetin Lianjiang.

Sulmi ndodhi të hënën në orën 07:40 me orën lokale (23:40 të dielën GMT).

Burri është arrestuar në orën 08:00 dhe policia e ka cilësuar këtë rast “sulm me dashje”.

Një pronar dyqani që punon pranë kopshtit i tha BBC-së se zona përreth është mbyllur.

Krimi i dhunshëm është relativisht i rrallë në Kinë, por vendi ka parë një sërë sulmesh me thika vitet e fundit, duke përfshirë disa në shkolla.

Në gusht të vitit të kaluar, një sulmues me thikë sulmoi një kopsht fëmijësh në provincën juglindore Jiangxi, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë.

Në prill 2021, dy fëmijë vdiqën ndërsa 16 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi masiv me thikë në qytetin Beiliu, në rajonin autonom Guangxi Zhuang .

Në tetor 2018, 14 fëmijë u plagosën në një sulm me thikë në një kopsht fëmijësh në Chongqing, në jug-perëndim të Kinës.

/Shqip.com