Lajme

Gjakovë, voziti 108 km/h mbi shpejtësinë e lejuar, gjobitet me 500 euro dhe i merret patentë shoferi për 1 vjet

Foto e ilustruar

Policia e Kosovës ka gjobitur një qytetar nga qyteti i Gjakovës pasi që në zonën ku shpejtësia e lejuar ishte 50 km/h ai kishte zhvilluar shpejtësi 158 km/h.

“Me datën 16 korrik 2022, në ora 21:15 gjatë realizmit të detyrave dhe kontrollit të trafikut në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë (rruga Gjakovë-Prizren), Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë, me anë të laserit për matjen e shpejtësisë ka identifikuar një automjet i cili në segmentin e rrugës ku kufizimi i shpejtësisë është 50 km/h, ishte duke lëvizur me shpejtësi prej 158 km/h”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Për shkak të shkeljeve të rregullave të komunikacionit rrugor e po ashtu bazuar në dispozitat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, ndaj drejtuesit të mjetit është shqiptuar gjoba prej 500 euro, 5 pikë negative si dhe masa mbrojtëse-ndalimi i drejtimit të automjetit në territorin e Republikës së Kosovës për një (1) vit.

Gjoba e trafikut

Drejtoria Rajonale e Policisë-Gjakovë fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë. Kur kanë informacion për kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 (pa pagesë) dhe 0390310482./Shqip.com